Aktualitet

Ndarja nga jeta e Papa Françeskut, e shtuna ditë zie në Shqipëri!

Në shenjë nderimi për ndarjen nga jeta e Papa Françeskut, më 21 prill, kjo e shtunë shpallet ditë zie në Shqipëri, duke ulur në gjysmështizë flamurin kombëtar. 26 prilli është edhe dita e varrimit të Atit të Shenjtë, i cili mbylli sytë në moshën 88 vjeçare, pas një hemoragjie cerebrale e dëmtimit të pakthyeshëm të zemrës. Vendimi u mor sot në mbledhjen e qeverisë.

Njoftimi:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e shtunë, datë 26.4.2025, në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje.

2. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

3. Ftohen të gjitha stacionet radiotelevizive, publike dhe private që gjatë ditës së zisë kombëtare të transmetojnë muzikë funebër.

4. Ngarkohen të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Në një tjetër zhvillim, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka njoftuar se sot në orën 18:00, në Katedralen e Shën Palit në Tiranë do të kremtohet mesha për shpirtin e Papa Françeskut.

Në këtë kremtim do të marrin pjesë të gjithë ipeshkvitë e dioqezave në vendin tonë e janë të ftuar të gjithë besimtarët të bashkohen në lutje për shpirtin e Papa Françeskut, që aq shumë e deshi vendin tonë.

Si Papa i 266-të i Kishës Katolike, Françesku ishte i pari nga kontinenti amerikan dhe i pari i lindur jashtë një shteti të Europës që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar. Bergoglio, djalë i dy prindërve nga Italia e që emigruan në Argjentinë ka punuar si teknik kimik para se t’iu bashkohej jezuitëve më 1958-ën.

Si prift u shugurua më 1969-ën dhe u bë udhëheqës superior i jezuitëve të një province të Argjentinës në periudhën mes viteve 1973-1979. Më 1988-ën u emërua peshkop i kryeqytetit argjentinas, Buenos Aires. Tre vjet më vonë, Papa Gjon Pali II e pati ngritur në funksione duke e bërë pjesë të Kolegjit të Kardinalëve.

I zgjedhur Papë më 2013-ën, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, emrin Françesk e zgjodhi për të nderuar Shën Françeskun e Asizit, duke pasqyruar angazhimin që kishte ndaj përulësisë e të varfërve. Periudha e tij në krye të Selisë së Shenjtë kujtohet për fokusin te mëshira, Drejtësia Sociale dhe kujdesi mjedisor.