Gossip Sport

Futbollisti i Arisit, Carles Perez, sulmohet nga një qen dhe përfundon në spital? Në cilën pjesë të trupit është lënduar?

Një incident i pazakontë ka ndodhur në qytetin Terme pranë Selanikut, ku viktimë ka qenë futbollisti spanjoll i Arisit, Carles Perez.

Sipas mediave greke, 26-vjeçari po shëtiste qenin e tij kur u përball me një qen tjetër agresiv. Gjatë përpjekjes për t’i ndarë kafshët, Perez u sulmua dhe pësoi një plagë të thellë në zonën gjenitale.

Lojtari u transportua menjëherë në spital dhe ndodhet nën mbikëqyrje mjekësore për të dytën ditë radhazi.

Mjekët po shqyrtojnë mundësinë e një ndërhyrjeje kirurgjikale për të riparuar dëmtimin.

Klubi i Arisit ka reaguar me një deklaratë zyrtare, duke theksuar se qëndron pranë futbollistit dhe se po merr masa ligjore ndaj pronarit të qenit që shkaktoi sulmin.

Carles Perez, ish-lojtar i akademisë së Barcelonës, ka qenë pjesë e ekipit katalanas nga viti 2012 deri në 2020, duke regjistruar 13 paraqitje dhe dy gola me ekipin e parë. Pas transferimit te Roma, ai fitoi Ligën e Konferencës në vitin 2022 dhe ka luajtur gjithashtu për Celtën dhe Getafen. Aktualisht, ai është pjesë e Arisit në Superligën greke, me një vlerë tregu rreth 2 milionë euro, sipas “Transfermarkt”.