Aktualitet

Gazetarja Elda Menga në një lidhje telefonike për TAR nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve: “Po dështon procesi me pajisjet e identifikimit elektronik!”

Ndërsa ora 07:00 e mëngjesit shënon hapjen e qendrave të votimit dhe disa qytetarë me të drejtë vote i janë drejtuar atyre për të votuar në këto zgjedhje vendore, shënohen dhe problematikat e para. Gazetarja e Top Channel, Elda Menga në një lidhje direkte telefonike për Top Albania Radio nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dha më shumë detaje lidhur me këtë problematikë.

Është çorientur KQZ pasi ka patur probleme me pajisjet e identifikimit elektronik. Vetë kryetari Celibashi ka shkuar të votojë dhe për shkak të problemeve e ka patur të pamundur të votojë. Sipas parashikimeve të kodit zgjedhor duhet të zëvendësohen këto pajisje ose të procedohet me votim manual. Po paguhet për këto zgjedhje, janë shpenzuar rreth 3,4 milion dollarë dhe po dështon ky proces.

Elda gjithashtu ka treguar edhe se Celibashit i është dhënë një tjetër pajisje në mënyrë që të ketë mundësi të votojë dhe sërish nuk ka funksionuar.

Në një prononcim për gazetarin Veliu, Celibashi tha se ky është një problem që do të zgjidhet shpejt. Kamerat e TCH ofruan pamje të momentit kur Celibashi po asistonte operatorin atje për të mundësuar vënien në punë të PEI-t, pra lidhjen me pajisjen e identifikimit. Në rastet kur nuk mundësohet lidhja brenda tre orëve e problemin e ka pajisja, më pas vijohet me votimin manual. Gazetarët e TCH në terren raportojnë se për probleme teknike, të lidhura me printerin apo PEI-n nuk ka nisur procesi i votimit. I tillë është rasti i Kamzës, një prej tre bashkive ku rezultati pritet të dalë në 30 minuta. Një rast tjetër u evidentua në vendvotimet e shkollës “Vasil Shanto” në kryeqytet.

Në një tjetër problematikë, u mësua për një rast dhune ndaj kandidatit të PS-së në Kolonjë, goditet kandidati i Partisë Socialiste, Erion Isai. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të mbrëmjes nga një simpatizant i PD pranë fshatit Qinam. Isai ka qenë duke ecur me mjetin e tij kur e kanë ndalur në rrugë dhe është goditur. Nuk ka pasur ndërhyrje nga shoqëruesit e Isait por është njoftuar policia e cila ka shoqëruar agresorin. Eshte shoqeruar nga policia Esmerald Kacolli autori.