Gossip

George Clooney tronditet nga pamjet e vjetra të karrierës së tij, pse?

George Clooney ka rrëfyer se është ndjerë i trazuar emocionalisht kur ka parë skena të vërteta nga filmat e tij të hershëm, të përfshira në filmin e ri “Jay Kelly”.

Aktori fitues i Oscar-it foli për këtë përvojë gjatë premierës në Los Angeles, duke pranuar se e gjithë situata e “goditi” më fort nga sa e kishte imagjinuar.

Në një intervistë për “People”, Clooney u shpreh se ngjashmëritë mes historisë së filmit dhe jetës së tij reale ishin të vështira për t’u përballuar.

Ai tregoi se sidomos skena e fundit, ku personazhi i tij sheh një përmbledhje të karrierës gjatë një ceremonie nderimi, i krijoi një ndjesi të fortë nervozizmi, sepse dukej tepër e afërt me realitetin.

Regjisori Noah Baumbach ka zgjedhur të përdorë pamje origjinale nga filmat e rinisë së Clooney-t, një vendim që vetë aktori nuk e dinte paraprakisht.

Nuk e kisha idenë që do ta bënin

-tha ai.

Herën e parë që e xhiruan, ishte hera e parë që ma treguan. Ajo pamje e parë është saktësisht ajo që shihni në film.

Një moment që ka bërë bujë është skena ku Clooney shihet duke mbajtur dorën e menaxherit të tij në film, të luajtur nga Adam Sandler.

Ai pranoi se ky gjest nuk ishte i shkruar në skenar dhe ndodhi krejt spontanisht:

U habita dhe u ndjeva pak nervoz. Është e vështirë.

Duke e marrë me sportivitet, aktori shtoi me humor:

Duhet të jesh shumë rehat me veten për të parë një version 40-vjeçar të karrierës tënde. Nuk është e lehtë. Nuk është gjithmonë e bukur.

Reflektimi i Clooney-t ka prekur shumë fansa, të cilët e vlerësojnë për sinqeritetin dhe mënyrën se si përballet me të kaluarën e tij profesionale, një rrugëtim i gjatë që e ka kthyer në një nga figurat më të dashura të Hollywood-it.