Gossip

Georgina Rodriguez flet për unazën 3 milionë dollarëshe! “Është më e pakta…”

Georgina Rodriguez ka reaguar për herë të parë publikisht ndaj propozimit për martesë nga Cristiano Ronaldo, duke komentuar edhe unazën luksoze prej rreth 3 milionë dollarësh që mori gjatë verës.

Në një intervistë për revistën ELLE Spain, modelja dhe biznesmenja u shpreh me sinqeritet dhe humor, duke thënë se dhurata ishte “më e pakta që mund të bënte” pas gati një dekade lidhjeje.

Propozimi ndodhi në gusht, pas nëntë vitesh marrëdhënie, ndërsa unaza mbresëlënëse me diamant 30 karatësh e la Georginën tërësisht pa fjalë.

Ajo rrëfeu se u desh pak kohë për të kuptuar përmasat reale të gurit. Sipas saj, ishte aq e shokuar sa e la unazën në dhomë dhe nuk e pa në dritën e diellit deri ditën tjetër.

Çifti është bashkë që nga viti 2016 dhe kanë ndërtuar një familje të madhe. Ata janë prindër të dy vajzave, Alanës dhe Bellës, ndërsa Georgina kujdeset edhe për tre fëmijët më të mëdhenj të Ronaldos. Ajo foli edhe për humbjen e dhimbshme të djalit të tyre binjak, Angel, i cili ndërroi jetë gjatë lindjes.

Sa i përket së ardhmes, Georgina nuk e përjashton mundësinë e zgjerimit të familjes, duke theksuar se lidhja me Ronaldon ka qenë që në fillim shumë më tepër sesa tërheqje fizike. Sipas saj, mes tyre ekzistonte një ndjenjë e pashpjegueshme që i lidhi menjëherë.

Ndërkohë, përgatitjet për dasmën janë në proces. Ceremonia pritet të zhvillohet në verën e vitit 2026, në Funchal të Madeirës, qytetin e lindjes së futbollistit portugez, menjëherë pas përfundimit të Kupës së Botës.