Aktori i njohur francez Gérard Depardieu është përfshirë sërish në një skandal të madh ligjor, pasi është akuzuar për përdhunim nga aktorja Charlotte Arnould. Lajmi është konfirmuar nga Gjykata Penale e Departamentit të Parisit dhe raportuar nga BFM TV, ndërsa nëse shpallet fajtor, 75-vjeçari rrezikon një dënim deri në 20 vjet burg.
Sipas akuzës, Arnould pretendon se Depardieu e ka përdhunuar dy herë në gusht të vitit 2018, në banesën e tij në Paris. Fillimisht, pas një hetimi që zgjati nëntë muaj, padia u rrëzua, por aktorja e riktheu çështjen si paditëse civile.
Në dhjetor 2020, një gjyqtar hetimor vlerësoi se ekzistojnë prova serioze dhe të qëndrueshme, duke çuar në ngritjen e akuzave për përdhunim dhe sulm seksual. Prokuroria e Parisit kërkoi një aktakuzë formale në gusht të vitit 2024.
Depardieu nuk është i panjohur për drejtësinë. Vetëm pak muaj më parë, ai u dënua me 18 muaj burg me kusht për një rast tjetër sulmi seksual gjatë xhirimeve të filmit “Les Volets Verts” (2021).
Po ashtu, mbi 20 gra të tjera e kanë akuzuar për sjellje të papërshtatshme, megjithatë shumica e rasteve janë mbyllur për mungesë provash ose për shkak të parashkrimit.
Ky proces i ri konsiderohet si një nga betejat ligjore më të ashpra që aktori ka përballuar deri tani. Media franceze dhe ajo ndërkombëtare e kanë cilësuar rastin si një moment kritik në karrierën dhe jetën e Depardieu, ndërsa opinioni publik është i ndarë mes mbrojtjes së figurës së tij artistike dhe akuzave të rënda që e ndjekin prej vitesh.