Celebrities Gossip Showbiz

I akuzuar për sulme seksuale, aktori famëkeq Gerard Depardieu kërkon shtyrjen e gjyqit për arsye shëndetësore!

Në seancën e fundit para gjykatës në Paris në të cilën po zhvillohet procesi ndaj aktorit francez Gerard Depardieu, avokati i të akuzuarit kërkoi shtyrjen duke përmendur si arsye problemet shëndetësore të aktorit. “Gérard Depardieu është shumë i prekur nga këto akuza dhe për fat të keq, mjekët e tij e kanë ndaluar të marrë pjesë në seancë, prandaj ai do të kërkojë shtyrjen për një datë të mëvonshme në mënyrë që të mund të marrë pjesë në procedurë”-tha avokati Jeremy Assou.

Depardieu u akuzua për sulme seksuale ndaj dy grave gjatë xhirimeve të filmit “Green Windows”. Ndaj 75-vjeçarit janë ngritur akuza të shumta të ngjashme dhe janë të mundshme procedime të tjera ligjore. Emrat e dy grave që akuzuan Depardieu për abuzim gjatë xhirimeve të filmit të vitit 2021 “Green Windows” nuk janë bërë të ditur.

Një nga paditëset, që tani është 55 vjeçe, tha në shkurt se ajo pësoi sulme seksuale, ngacmime seksuale dhe ofendime seksiste ndërsa ishte punësuar në një shtëpi private për xhirimet e filmit “Green Windows” me Depardieu si aktor kryesor. Depardieu ka qenë nën hetim që nga viti 2020, pasi aktorja Charlotte Arnoul pretendoi se ajo ishte viktimë e përdhunimit në gusht 2018. Sipas Mediapart, 13 gra të tjera kanë pohuar se aktori është përfshirë në “sjellje të pahijshme seksuale” gjatë xhirimeve midis 2004 dhe 2022.