Aktualitet

Gjashtë efektivë policie të lënduar nga protesta, ndodhen te Trauma dhe në QSUT!

Gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, i cili u përshkallëzua në akte dhune ndaj forcave të rendit, u lënduan 6 punonjës policie.

Të dëmtuarit, përkatësisht efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në QSUT. Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.

Policia e Shtetit, gatë tubimit u bëri thirrje, nëpërmjet Qendrës së Zërit, pjesëmarrësve në tubim të mos ushtronin akte dhune dhe të mos sulmonin punonjësit e Policisë me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, por një pjesë e pjesëmarrësve sulmuan punonjësit e Policisë.

Policia e Shtetit kishte marrë masa për ruajtjen e institucioneve, rendit dhe sigurisë publike dhe mbetet tërësisht e angazhuar, për të garantuar ushtrimin e së drejtës qytetare për të protestuar.

Njëkohësisht, dënon me forcë aktet e dhunës së përsëritur ndaj punonjësve të Policisë në krye të detyrës, si dhe ndaj institucioneve shtetërore.

Zgjati dy orë protesta e gjashtë e Opozitës. Nuk munguan edhe përplasjet fizike, teksa situata u përshkallëzua edhe më tepër orën e fundit. Teksa protestuesit i drejtoheshin parlamentit, në urën e rrugës së Elbasanit nuk kanë munguar as përplasjet fizike mes deputetëve dhe forcave të rendit.

Drejtuesit e Partisë Demokratike akuzojnë forcat e rendit se kanë hedhur spraj lotsjellës ndaj kreut demokrat Berisha më herët, gjatë një përplasjese tek kryqëzimi pranë Radio Televizionit Shqiptar. Lideri demokrat u largua për disa minuta pasi u ndje keq, për t’ju bashkuar sërish protestës, përpara se të rikthehej në seli 15 minuta më parë.

Protesta nisi në orën 18:45 dhe vetëm 10 minuta zgjati grumbullimi përpara Kryeministrisë. Pasi kërkuan me megafon dorëheqjen e Kryeministrit Rama, protestuesit hodhën molotovë dhe lëndë piroteknike, ndërsa policia u përgjigju me hedhje gazi lotsjellës dhe uji duke larguar protestuesit prej andej. Prej orës 19:00 nisi një marshim 120 minutësh që paralizoi kryeqytetin. Molotovë dhe fishekziarre u hodhën edhe në dyert e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Infrastrukturës. Më tej përshkallëzimi ka vijuar pranë selisë së Partisë Socialiste, ku sërish hedhjes së molotovëve, policia i është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë. Policia nuk lejoi afrimin e protestuesve te drejtoria e Policisë së Tiranës dhe ish-vila e diktatorit Hoxha. Marshimi vijoi përreth ish-bllokut, te Sheshi Uillson dhe më tej në rrugën pas Kryeministrisë, përpara se protestuesit të rigrupoheshin në urën e rrugës së Elbasanit, me qëllim afrimin tek Parlamenti, por Policia nuk e lejoi vijimin e tubimit duke blinduar çdo kalim.