Disa udhëheqës evropianë dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i bënë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, që të mbrojë interesat fundamentale të sigurisë evropiane dhe ukrainase kur të takohet më vonë këtë javë me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaskë.
Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se biseda më 13 gusht, dy ditë para se Trump të takohet me Putin në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Alaskë, ishte “shumë e mirë”, ndërsa kancelari gjerman, Friedrich Merz, e përshkroi video-konferencën si “konstruktive”.
Shpresojmë që tema qendrore në takimin Trump-Putin të jetë armëpushimi. Një armëpushim i menjëhershëm.
Takimi mes Trumpit dhe Putinit synon gjetjen e një rruge drejt përfundimit të luftës në Ukrainë që ka nisur mbi tre vjet e gjysmë më parë. Trump ka thënë se të dyja palët do të duhet të shkëmbejnë territor për të ndalur luftime të ashpra që kanë shkaktuar dhjetëra mijëra viktima nga të dyja palët dhe kanë detyruar miliona ukrainas që të zhvendosen.
Pasi u duk se u lanë jashtë vëmendjes para takimit Trump-Putin, udhëheqësit evropianë dhe Zelensky kanë bërë përpjekje për t’u siguruar që zëri i tyre të dëgjohet. Uashingtoni duket se po përgatit Kievin dhe Moskën për kompromiset e mëdha për të përfunduar luftën, teksa nënpresidenti amerikan, JD Vance, paralajmëroi se çdo marrëveshje paqeje do të lërë të dyja palët “të pakënaqura”.
Por, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Trump ishte “shumë i qartë” në takimin e 13 gushtit se dëshiron të arrijë një armëpushim gjatë samitit dhe se presidenti amerikan e bëri të qartë se “çështjet territoriale që lidhen me Ukrainën… do të negociohen vetëm nga presidenti ukrainas”. Trump do të “synojë të organizohet një takim trepalësh në të ardhmen” që do të përfshijë edhe Zelenskyn, tha Macron.
Aktualisht, mbi tavolinë nuk ka plane serioze për shkëmbim territorial … Mendoj se kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Dhe shpresojmë që takimi mund të mbahet në Evropë, në një vend neutral që është i pranueshëm për të gjitha palët.