Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sot mbahet seanca paraprake për dosjen “Partizani”, pas shtyrjes të martën, për shkak se një avokat ishte në një gjyq tjetër. Pritet të vendoset nëse ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerë kalojnë për gjykim. Seanca vijon të shtyhet prej 24 tetorit të kaluar.
Në nëntor 2024, Sali Berisha rifitoi lirinë e plotë pas 11 muajve izolim. Ish-kryeministrit të dyshuar për korrupsion lidhur me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” në Tiranë, Gjykata e Posaçme i rrëzoi arrestin në shtëpi. Dhëndrit të tij, nuk iu revokua masa e sigurisë. Jamarbër Malltezi mbetet në arrest shtëpie.
Berisha akuzohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish-kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta. Akuzohet dhe për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
Fatmir Bektashi – Ndërtuesi akuzohet për “Korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrim parash”
Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i “Homeplan”-it akuzohet për “Pastrim të parave”
Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k – Akuzohet për “Pastrim të parave”.