Aktualitet

Dosja “Partizani”/Shtyhet seanca në GJKKO, më 11 prill vendoset nëse Berisha-Malltezi kalojnë për gjykim!

Në Gjykatën e Posaçme u shty për më 11 prill, ora 09:30, seanca paraprake ku do të vendoset nëse dosja e privatizimit të klubit “Partizani” do të kalojë ose jo për gjykim, me të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, si dhe biznesmenin Fatmir Bektashi, ortakun e Malltezit, Xhimi Begeja e financieren Andia Pustina. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e avokatit të Malltezit.

Duke folur për mediat, avokati i Berishës, Genci Gjokutaj u shpreh se hetimet paraprake lidhur me këtë çështje kanë treguar se mungon fakti penal. Sipas tij, për këtë arsye, mbrojtja është e detyruar që të kërkojë pushimin e çështjes.

Në këtë seancë ishin kontestimet e prokurorisë ndaj qëndrimit tonë. Ne nuk kemi qëndrim variabël. Ne e kemi shprehur që ditën e parë të këtij procedimi, gjatë gjithë hetimeve paraprake, ju keni qenë në dijeni që mungon fakti penal. Në momentin që mungon fakti penal, ne jemi të obliguar të kërkojmë pushim e çështjes, sepse nuk ka çështje. Kështu që kjo e mbyll atë historinë e qëndrimit tonë të ndryshëm, nëse do ta quanim kështu.

Janë gati 4 vite e gjysmë nga nisja e hetimeve ndërsa e para seancë paraprake u zhvillua më 24 tetor. Kalimin në gjyq e vonuan kërkesa pa fund të avokatëve mbrojtës të palëve për më shumë kohë, për t’u njohur me materialet.

Berisha dhe Malltezi vijojnë të jenë në masa sigurie “Detyrim për paraqitje” dhe “Arrest shtëpie”. Ish-kryeministri akuzohet për korrupsion pasiv dhe se lejoi një zinxhir të tërë institucionesh që të shkelnin ligjin duke ua kthyer kompleksin Partizani ish-pronarëve, me përfitues kryesor dhëndrin e tij, i akuzuar për korrupsion pasiv e pastrim të parave.  Në sipërfaqen e ish-klubit u ndërtuan pallate.

Krahas Berishës e Malltezit, ndërtuesi Fatmir Bektashi, akuzohet për “Korrupsion aktiv” e “Pastrim parash”. Po për pastrim parash akuzohen edhe Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës, si dhe Andia Pustina, e cila kryente operacionet financiare e ligjore të Homeplan-it.

Paralelisht, SPAK-u vuri në sekuestro preventive pasuri të Jamarbër e Argita Malltezit. Apartamente, vila, troje dhe llogari bankare do të qëndrojnë të sekuestruara deri në përfundim të gjykimit. Një tjetër hetim vazhdon me fraksion të kësaj dosjeje për pasurinë e ish-kryeministrit e verifikime, nëse familjarët kanë përfituar nga vendimet e tij.

Në një tjetër zhvillim, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për përjashtimin e trupës gjykuese  që do shqyrtojë rekursin e tij kundër masës detyrim për paraqitje. Berisha kërkoi largimin e gjyqtarëve Ilir Panda, Sandër Simoni e Sokol Binaj.