Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës kërkoi që përmes INTERPOL-it, të lëshohen fletarreste ndërkombëtare për presidentin e Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik dhe kryetarin e Kuvendit Popullor të këtij entiteti serb, Nenad Stevandiç.
Shpallja e fletarrestit është në kompetencë të Zyrës Qendrore Kombëtare të INTERPOL-it, u konfirmua sot për Radion Evropa e Lirë nga Gjykata e Bosnjës.
Në një përgjigje të mëparshme për Radion Evropa e Lirë, për një rast tjetër, INTERPOL-i tha se nuk lëshon fletarreste, por “me kërkesë të shteteve anëtare dhe pas kontrolleve të përputhshmërisë, INTERPOL-i lëshon njoftime ndërkombëtare për të kërkuarit e që njihen si “njoftime të kuqe””.
“Njoftimi i kuq” sinjalizon policitë në të gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht e ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Por është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë apo jo një person.
Nga Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës u bë e ditur se fletarrestet ndërkombëtare u kërkuan dje nga Prokuroria e Bosnjës, që dyshon se Dodik e Stevandiç, bashkë me kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviç e “të tjerë persona”, kryen sulm ndaj rendit kushtetues të Bosnjës.
Duke shfrytëzuar postet e larta në entitetin Republika Sërpska, duke shmangur procedurat ligjore të kontrollit kufitar, Dodik e Stevandiç kaluan kufirin shtetëror dhe u larguan nga territori i Bosnjë-Hercegovinës.
Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës njoftoi se aktualisht, Dodik ndodhet në Izrael, ndërsa Stevandiç, duke shmangur kontrollet e ligjshme, u kthye nga Serbia në Bosnjë, më 18 mars.
Të gjitha rrethanat tregojnë se në çdo moment, ka gjasa që Dodik e Stevandiç të ndodhen jashtë vendit, deklaroi Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës.
Dodik, Vishkoviç e Stevandiç rezultojnë të dyshuar për sulm kundër rendit kushtetues dhe ndaj tyre u lëshuan fletarreste brenda Bosnjës. Policia duhet që t’i arrestojë. Dodik ndodhet në Izrael, ku po merr pjesë në një konferencë për antisemitizmin në Jerusalem. Drejt shtetit hebraik ai udhëtoi të martën, me avionin e qeverisë së Republikës Sërpska, të nisur nga Beogradi.
Kërkesa për arrestimin e zyrtarëve më të lartë të RS-së vjen në një periudhë të trazuar. Më 26 shkurt, Dodik u dënua nga Shkalla e Parë e gjyqësorit me 1 vit burg dhe 6 vjet ndalim për të mbajtur funksione publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar në Bosnjë.
Kuvendi Popullor i RS-së miratoi ligje jokushtetuese me të cilat, në territorin e entitetit, u përpoq që të ndalojë punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjës, Agjencisë Shtetërore për Hetim e Mbrojtje (SIPA), si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e atij të Prokurorisë.