Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Ilir Metës, i cili kërkoi lirinë nga arresti në burg, duke lënë në fuqi masën e paraburgimit për kreun e PL-së dhe ish-presidentin. Meta që mbahet i arrestuar prej 21 tetorit 2024, kërkoi një masë më të butë sigurie, ku një ndër argumentet e theksuara në rekurs, lidhej me fushatën elektorale të 11 majit si drejtues i forcës së dytë opozitare në vend.
Ish-presidenti dyshohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie lidhur me dosjet e bashkuara Cez-Dia, lobimi i ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij.
Për të Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit kanë lënë në fuqi masën e “arrestit në burg”, duke bërë që Meta prej afro 4 muajsh të mbahet i izoluar në paraburgimin “Jordan Misja” në kryeqytet apo siç njihet ndryshe 313-ta.
Masa u rrëzua edhe për Monika Kryemadhi, e cila kishte depozituar rekurs me argumentin se masa “detyrim paraqitjeje” është e paligjshme. Ndaj saj rëndojnë 3 akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish. Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe hetim pasuror për familjen e tyre.
Njoftimi i gjykatës:
Ne lidhje me interesimin tuaj per ceshtjen penale me nr. 60003-00073-00-2025, Kolegji Penal i Gjykates se Larte, ka vendosur: Lenien ne fuqi te vendimin nr.59 (87-2024-333) date 19.11.2024 te Gjykatës së Posaçme te Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.