Aktualitet Politikë

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Rama: Vetëm një vendim pafajësie do të shlyente këtë fatkeqësi!

Kryeministri Edi Rama shpreson se në fillim të vitit 2026 do të shpallet pafajësia për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-komandantët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë. Në një lidhje live nga rrjeti social Facebook, Rama theksoi se vetëm një vendim pafajësie për këta ish-udhëheqës do të ishte një “shlyerje e kësaj fatkeqësie” që ka zgjatur për mbi 5 vjet.

Kryeministri shprehu shqetësimin për procesin gjyqësor, duke e cilësuar “gjyq pa prova”, teksa shtoi se “asnjëherë nuk ka pasur një bazë të fortë faktike që mund të mbështeste akuzat e ngritura ndaj komandantëve të UÇK”-së. Rama vuri në dukje se ky proces ka pasur pasoja të rënda për figurat e njohura të Kosovës dhe për popullin e saj.

Të reflektojnë mbi standardet e ulëta, nivelin shumë nën vijat e kuqe të një drejtësie demokratike, të gjithë kësaj që prej vitesh po ndodh me njerëzit që të vetmin faj kanë që u rebeluan ndaj një regjimi satrap, që morën armët për të mbrojtur lirinë të drejtën e tyre të pamohueshme për të jetuar si njerëz të barabartë të kësaj toke, nën të njëjtin diell dhe jo si një grup social i përdhunuar për shkak të etnisë së vetë në një diktaturë.

Kjo është e vërteta dhe këtë se tund dot më askush dhe jo më pastaj një çekiç absurd i një drejtësie ndërkombëtare që në këtë rast ka lënë kokrrën e namit. Dua të besoj që e drejta në fund do të fitojë. Këtu ka vetëm një të drejtë që është e drejta e bekuar përjetësisht me gjakun e heronjve, matirëve, dhembjen e  patregueshme të nënave, grave  e vajzave të përdhunuara e sakatuara gjatë një periudhe nga më të zymtat për vetë Europën, në zemër të Europës, deklaroi Rama.

Deklarata e Ramës vjen në një moment pasi Gjykata Speciale e Hagës vijon shqyrtimin e akuzave ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit de Rexhep Selimit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999. Kryeministri shqiptar ka shprehur vazhdimisht mbështetje për liderët e Kosovës, duke i cilësuar “heronj të çlirimit” dhe duke kërkuar që të bëhet e qartë pafajësia e tyre.