Aktualitet

Gjyqi për dosjen “Partizani”, Berisha nuk shkoi/Avokatët e Malltezit kërkojnë pavlefshmëri aktesh!

Sot në seancën gjyqësore në GJKKO për dosjen “Partizani” ndaj Sali Berishës e dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, ish-kryeministri nuk u paraqit. Më herët është shprehur se për të qenë ose jo në seanca, vendimi do të varet nga ajo që do t’i propozojnë avokatët e tij. Malltezi mori pjesë dhe përmes avokatëve kërkoi pavlefshmëri absolute të akteve, duke theksuar se akuzat ndaj tij janë pa bazë ligjore.

Kërkojmë pavlefshmëri absolute të akteve, akuza e Malltezit pa asnjë bazë ligjore. Gjithashtu kërkojmë pavlefshmëri të vendimeve gjyqësore të marra gjatë hetimeve paraprake, nga një person që nuk ka as titullin magjistrat.

Sipas avokatit Klodian Skënderi, Malltezi akuzohet për dy vepra penale, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”, por në asnjë rast nuk qëndron ligjërisht lidhja e tij me faktet.

Akuza për korrupsion pasiv nuk ka asnjë lidhje me z. Malltezi. Ai nuk ka mbajtur kurrë një funksion publik që të përfshihet në këtë vepër penale. Ndërsa sa i përket akuzës për pastrim parash, është gjithashtu e pabazë dhe nuk ka lidhje me ndonjë vepër të mëparshme penale.

Në mbrojtje të tij, Sali Berisha foli për gazetarët nga mjediset e jashtme të SPAK-ut ku shkoi në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim për paraqitje”, po për dosjen e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.

Jamarbër Malltezi nuk ka qenë kurrë zyrtar apo funksionar publik, sepse ligji ka përjashtuar universitetet nga kjo kategori.

Në nisje të seancës, kryetarja e trupit gjykues, Elsa Ulliri relatoi vendimin e gjyqtarit Erjon Çela që rrëzoi kërkesën për përjashtimin e trupës gjykuese, kërkesë e bërë nga avokatët e Sali Berishës. Avokati Genc Gjokutaj hodhi akuza se ish-ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim ka ushtruar presion në SPAK për të ndjekur penalisht Berishën.

Prokuroria ka tejkaluar kompetencat e saj kushtetuese në ngritjen e akuzës duke u bazuar në opinione. Ambasadorja Kim ka ushtruar presion në SPAK për të ndjekur penalisht Berishën.