Dyshimeve në përzgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë i janë shtuar të tjera fakte komprometuese. Gjatë procesit të votimit, kryetari i KED-it, gjithashtu Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi i fshehu trupës prej 15 gjyqtarësh të Gjykatës së Lartë një informacion të rëndësishëm për kandidatin Asim Vokshi.
Bëhet fjalë për informacionin e institucioneve të sigurisë kombëtare se Vokshi ka qenë informator ose agjent i shërbimeve të Inteligjencës. Por, shkelja nis nga hallka tjetër e rëndësishme siç është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED e që për këtë vit drejtohet nga Sokol Sadushi dhe që nuk funksionoi sipas ligjit.
I krijuar si një organ kolegjial me 9 anëtarë që duhet të verifikojë kushtet e kandidatëve që konkurrojnë për në Kushtetuese, KED-i i drejtuar nga Sokol Sadushi dyshohet se nuk e kreu detyrën për verifikimin e gjyqtarit Asim Vokshi, emri i të cilit, më pas i kaloi mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve.
Ky vendim i datës 17 qershor 2025 u dha në një kohë kur institucionet i kishin dorëzuar KED-it të dhëna kompromentuese që tregonin se kandidati Vokshi nuk duhet të kualifikohej më tej pasi ekzistonte një kriter ndalues, parashikuar në pikën 89/c të vendimit numër 4 viti 2019.
Konkretisht, të dhënat e siguruara nga Top Channel tregojnë se KED-it iu dorëzuan informacione nga institucionet e sigurisë ku përmendej se kandidati ishte bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve të Inteligjencës.
Por, me gjithë informacionin që duhet të ishte lexuar më pas nga KED-i si kriter ndalues, të dhënat nuk u vlerësuan, nuk u panë dhe u anashkaluan gjatë vlerësimit e gjyqtari Asim Vokshi u listua në datën 17 qershor 2025 për të vijuar garën.
Dorëzimi i kësaj të dhëne thuhet se ndodhi gjatë verifikimit të integritetit që përfshin disa institucione, mes tyre Prokurorinë e Përgjithshme, DSIK-un dhe autoritetin për dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit, që ndoqën protokollin e dorëzuan të dhënat e tyre. Por, 9 anëtarët e KED-it nuk e panë dhe nuk e lexuan duke e renditur të parin në listë Asim Vokshin./Top Channel