Së fundmi SpaceX ka humbur dhjetëra satelitë pasi u goditën nga një stuhi gjeomagnetike një ditë pas nisjes, duke bërë që ata të bien nga orbita dhe të digjen. Stuhitë e tilla diellore shkaktohen nga shpërthime të fuqishme në sipërfaqen e diellit, të cilat nxjerrin jashtë plazma dhe fusha magnetike që mund të godasin Tokën.
Kompania, në pronësi të miliarderit Elon Musk, tha se rreth 40 nga 49 satelitë nga lëshimi i javës së kaluar u goditën. Ata duhej t’i bashkoheshin projektit Starlink. Starlink është oferta e Musk për të ofruar internet me shpejtësi të lartë duke përdorur mijëra satelitë në orbita.

49 satelitët e fundit u vendosën rreth 210 km mbi sipërfaqen e Tokës. SpaceX tha se çdo satelit arriti fluturim të kontrolluar pasi u dërgua më 3 shkurt. Megjithatë, një ditë më vonë, stuhia gjeomagnetike goditi Tokën. Kjo stuhi e ngrohu atmosferën dhe e bëri atë shumë më të dendur sesa pritej.
Jacob Geer, kreu i Agjencisë Hapësinore të Mbretërisë së Bashkuar për Mbikëqyrjen Hapësinore, tha se ai nuk pret që “ndonjë pjesë” e satelitëve të godasë në tokë. Pekini së fundmi akuzoi Shtetet e Bashkuara për sjellje të papërgjegjshme dhe të pasigurt në Hapësirë, pas “takimeve të afërta” në mes të stacionit kinez dhe satelitëve të kompanisë SpaceX të Elon Musk.

Tiangong, stacioni ri hapësinor i Kinës, është dashur të kryejë manovra për të shmangur përplasjen me një satelit Starlink në muajin korrik dhe një tjetër në muajin tetor, është thënë në ankesën e Pekinit të dërguar në agjencinë hapësinore të Kombeve të Bashkuara këtë muaj. Në ankesë është thënë se incidentet “kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e astronautëve në stacionin hapësinor të Kinës”.
Ndërkaq, sjellim në vëmendje se Jack Sweeney, një student 19-vjeçar nga Florida, refuzoi së fundmi një ofertë prej 5000 dollarësh nga Elon Musk për të fshirë llogarinë e tij në Twitter, që gjurmon avionin privat të miliarderit. Llogaria ElonJet ka mbi 180 000 ndjekës dhe përdor një “software” që Sweeney zhvilloi për të monitoruar fluturimet e njeriut më të pasur në botë.