Botë e Çuditshme

Goditi keq qenin e doganave në një aeroport, egjiptiani e pëson keq!

Një shtetas egjiptian, Hamed Ramadan Bayoumy Aly Marie, 70 vjeç, pranoi fajësinë pasi goditi kaq fort qenin e doganës Freddie, saqë ai u ngrit në ajër në aeroportin Washington Dulles. Qeni, i cili punonte për zbulimin e produkteve bujqësore të kontrabanduara, kishte sinjalizuar praninë e mbi 45 kilogramë ushqime të ndaluara në bagazhin e tij. Freddie, që peshon 11 kilogramë, u dërgua në urgjencë veterinare dhe u diagnostikua me lëndime në anën e djathtë të brinjëve.

Marie u urdhërua të paguajë faturën e veterinerit dhe u dëbua drejt Egjiptit pas seancës gjyqësore. Ngjarja ndodhi në zonën e marrjes së bagazheve të aeroportit në Virxhinia, pranë Uashingtonit. Ndërkaq, të gjithë ata që kanë një qen apo mace e dinë sa e dhimbshme është të mos jesh në gjendje të kujdesesh për ta nëse kanë nevojë. Për këtë arsye, për të garantuar kujdes falas për qentë dhe macet e njerëzve në vështirësi, u themelua në Romë Klinika e parë Social-Veterinare. Është një projekt i cili do të ofrojë trajtim falas për të paktën 400 pronarë; familje në vështirësi, njerëz që humbasin punën ose shtëpitë e tyre apo njerëz të pastrehë që kanë një qen ose mace që kërkon ndihmë veterinare.

”Në fund të fundit, kujdesi për një qenie tjetër është një nga aktet më domethënëse në jetë”-thonë ideuesit e projektit. ”Për shumë njerëz kafsha e tyre përfaqëson të vetmen familje që kanë dhe ndihmon në luftimin e izolimit social dhe vetmisë. Vitet e fundit, veçanërisht pas Covid-19, ne kemi parë nevojën e njerëzve në vështirësi ekonomike ose në një situatë të brishtë, të cilët nuk janë në gjendje të përballojnë shpenzimet veterinare për kafshët e tyre. Këto janë situata që ndonjëherë mund të çojnë në braktisje apo neglizhencë”-shtojnë ata.