Aktualitet

Grabitën 900 euro dhe 4 celularë në një shtëpi në Tiranë, policia arreston dy të rinj, në kërkim bashkëpunëtori!

Nën kërcënimin e thikave, tre të rinj dyshohet se u futën të martën në një banesë në rrugën “Gjon Buzuku” në Tiranë dhe grabitën një shumë të konsiderueshme eurosh, si edhe katër telefona celularë. Dy prej tyre janë arrestuar, ndërsa i treti është shpallur në kërkim.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në mesnatën e 23 qershorit. Pas hetimeve u finalizua operacioni i koduar “Doorbell”, në kuadër të të cilit ranë në pranga 20 vjeçari me inicialet E.S dhe 19 vjeçari me inicialet K.K. Në kërkim është shpallur edhe 21 vjeçari me inicialet Xh. T.

Gjatë operacionit u sekuestruan 900 euro dhe katër telefona celularë, të cilët dyshohet se janë sendet e vjedhura. Policia po punon për kapjen e 21-vjeçarit dhe për të verifikuar nëse tre të rinjtë janë të përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjesh.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

“Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Doorbell”, për zbardhjen e vjedhjes me mjete prerëse, kryer mesnatën e datës 23.06.2026, në një banesë në rrugën “Gjon Buzuku”. Kanosën me mjete prerëse, poseduesit e banesës, ku vodhën një shumë të konsiderueshme eurosh dhe 4 celularë, vihen në pranga 2 shtetas. Identifikohet dhe bashkëpunëtori i tyre. Punohet për kapjen e tij. Sekuestrohen 900 euro dhe 4 celularë, dyshohet të vjedhura.  Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, të kryera pas njoftimit se në banesën e 2 shtetasve, në rrugën “Gjon Buzuku”, në mesnatë, më datë 23 qershor 2026, ishin vjedhur nëpërmjet kanosjes me mjete prerëse, një shumë parash dhe 4 celularë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin e koduar “Doorbell”. Në kuadër të operacionit u kapën në zonën e quajtur “Alliasi”, dhe u vunë në pranga bashkautorët e dyshuar, shtetasit E. S., 20 vjeç dhe K. K., 19 vjeç, si dhe u shpall në kërkim autori tjetër i dyshuar, shtetasi Xh. T., 21 vjeç. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ata kanë kanosur me disa mjete prerëse, 2 poseduesit e banesës në rrugën “Gjon Buzuku”, për të vjedhur aty, një shumë të konsiderueshme eurosh dhe 4 celularë. Punohet për kapjen e 21-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjeve, në të cilën mund të jenë përfshirë këta shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”