Një bankë e nivelit të dytë pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë, u grabit mesditën e sotme nga një person ende i paidentifikuar. Ai hyri i maskuar dhe nën kërcënimin e një arme, mori paratë nga duart një personi, i cili po i depozitonte.
Ende nuk dihet shuma e grabitur ndërsa raportohet se autori është larguar nga vendi i ngjarjes me skuter. Në kokë kishte një skafandër motori. Policia po vijon kontrollet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 12:26, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, një shtetas i maskuar ka hyrë në ambientet e një banke dhe, dyshohet se në kërcënimin e një sendi në dukje armë, ka marrë një shumë parash.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë ngritur pika kontrolli dhe janë orientuar të gjitha shërbimet policore, për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.