Emma Heming Willis ka ndarë një rrëfim prekës mbi barrën emocionale të kujdesit për bashkëshortin e saj, Bruce Willis, i cili po përballet me demencë frontotemporale në fazë të avancuar.
Në një postim në Instagram, ajo pranoi se në fillimet e diagnozës ndihej sikur “po mbytej”, pasi nuk dinte si të organizonte jetën e familjes dhe mbështetjen e nevojshme.
Duke parë prapa, e kuptoj se po mbytesha. Nuk e dija çfarë i duhej familjes sonë, as si të ndërtoja rrjetin e duhur të mbështetjes. Por ngadalë, e krijova dhe ai u bë shpëtimi ynë
-shkroi ajo.
Heming ka dokumentuar përvojën e saj edhe në librin e ri “Udhëtimi i papritur: Gjetja e forcës, shpresës dhe vetes në rrugën e kujdesit”, i cili pritet të publikohet më 9 shtator, ku tregon sfidat dhe përplasjet emocionale që përjeton si kujdestare.
Sipas raportimeve të fundit, aktori nuk është më në gjendje të flasë ose të ecë dhe nuk ka kujtime për sukseset e tij filmike të dekadave të kaluara.
Emma Heming dhe Bruce Willis, të martuar që nga viti 2009, kanë dy vajza së bashku. Familja ka apeluar vazhdimisht për ndërgjegjësimin mbi nevojat e kujdestarëve dhe rëndësinë e mbështetjes gjatë një sfide të tillë shëndetësore.