Gossip

Truri i Bruce Willis të dhurohet për kërkime shkencore?

Emma Heming-Willis ka rrëfyer se si familja e Bruce Willis po përballet me fazën më të vështirë të sëmundjes së aktorit legjendar, i cili prej tre vitesh vuan nga demenca frontotemporale, një çrregullim i rëndë që prek kujtesën, komunikimin dhe funksionet njohëse.

70-vjeçari aktualisht ndodhet në një qendër të specializuar, ku merr kujdes mjekësor të vazhdueshëm, 24 orë në ditë.

Emma tregoi se gjithçka po planifikohet me kujdes, për t’u siguruar që familja të jetë sa më e përgatitur emocionalisht për momentet kritike.

Duke qenë se shumëçka e kemi menduar dhe organizuar më parë, ne mund të fokusohemi te mbështetja emocionale për njëri-tjetrin, kur gjërat bëhen të rënda

-ka shpjeguar ajo, teksa tregon se ka nisur t’i udhëzojë gradualisht edhe vajzat e tyre, Mabel 13 vjeçe dhe Evelyn 11 vjeçe, që të kuptojnë ndryshimet në shëndetin e babait.

Familja ka vendosur gjithashtu që, pas ndarjes nga jeta, truri i Bruce Willis të dhurohet për kërkime shkencore mbi demencën frontotemporale, një vendim që Emma e përshkruan si “emocionalisht të dhimbshëm, por shkencërisht të domosdoshëm”.

Qëllimi, sipas saj, është të kontribuojnë në kuptimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje që u ka ndryshuar jetën.

Edhe vajza e madhe e aktorit, Rumer Willis, ka ndarë një mesazh prekës në Instagram, duke pranuar se nuk është e lehtë t’u përgjigjesh pyetjeve për gjendjen e tij.

Askush që vuan nga FTD nuk është vërtet mirë. Por babai po ia del, në mënyrën e tij, për dikë që jeton me këtë sëmundje

-ka shkruar ajo, duke shtuar se fraza si “ai është mirë” nuk pasqyrojnë realitetin.

Megjithatë, mes dhimbjes, Rumer gjen një dritë ngushëllimi:

Jam e lumtur dhe mirënjohëse që ende mund ta përqafoj. Edhe nëse nuk më njeh, ai e ndjen dashurinë që i jap dhe unë e ndiej përgjigjen e tij.

Familja e Bruce Willis vazhdon ta përballojë bashkë këtë sfidë të rëndë, duke u mbështetur te dashuria, kujdesi dhe dëshira për të rritur ndërgjegjësimin për demencën frontotemporale.