Kristin Cabot, ish-drejtoresha e burimeve njerëzore në kompaninë teknologjike Astronomer, ka folur sërish për pasojat që pati momenti viral në koncertin e Coldplay, duke zbuluar se ende është e papunë dhe po përpiqet të rindërtojë jetën e saj.
Cabot, e cila u bë kryefjalë e mediave vitin e kaluar pasi u filmua në një moment intim me drejtorin ekzekutiv të kompanisë, Andy Byron, gjatë “kiss cam” në koncertin e Coldplay, tha se tani po hap një kapitull të ri, të fokusuar në luftën kundër ngacmimit në internet.
Ende kam probleme, por jam më mirë. Ndihem e mbyllur në vetvete dhe kjo nuk më pëlqen. Kjo nuk jam unë, por do t’ia dal
-u shpreh ajo.
Sipas Cabot, jeta e saj ndryshoi plotësisht pas publikimit të videos, e cila u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe u komentua në mbarë botën.
Ajo zbuloi se në kohën kur ndodhi incidenti ishte në mes të procesit të divorcit dhe besonte se edhe Andy Byron po kalonte një situatë të ngjashme.
Megjithatë, pas publikimit të pamjeve, të dy u përballën me një valë kritikash dhe reagimesh të ashpra.
Cabot tha se, përveç humbjes së punës dhe ekspozimit publik, është përballur edhe me kërcënime me vdekje.
E pranoj vendimin e gabuar që mora në atë moment dhe kam paguar një çmim të paimagjinueshëm për të. Ishte një gjykim i gabuar. Nuk e mohoj dhe nuk përpiqem ta justifikoj, por mendoj se askush nuk duhet të kërcënohet me vdekje për këtë
-deklaroi ajo.
Ajo shtoi se nuk ka më asnjë kontakt me Andy Byron dhe se dëshiron ta lërë pas atë periudhë.
Kristin zbuloi gjithashtu se vazhdon të jetë në kërkim të një pune të re. Sipas saj, është në pritje të përgjigjeve për dy vende pune, por ende nuk ka arritur të rikthehet në profesionin e saj në fushën e burimeve njerëzore.
Pavarësisht vështirësive, Cabot tha se dëshiron të ecë përpara, të rikthejë jetën normale dhe, kur të ndihet gati, të nisë edhe një lidhje të re.
Po përpiqem të rindërtoj jetën time. E di që do të duhet kohë, por besoj se do t’ia dal
-përfundoi ajo.