Gossip Lajmet e fundit

Gwyneth Paltrow thyen heshtjen: “U përjashtova nga filmi sepse po divorcohesha…”

Aktorja e njohur amerikane Gwyneth Paltrow ka bërë një rrëfim të papritur, duke zbuluar se divorci i saj nga vokalisti i Coldplay, Chris Martin, pati pasoja direkte në karrierën e saj kinematografike.

Gjatë një bisede me Amy Poehler në podkastin “Good Hang”, Paltrow tregoi se në vitin 2014, menjëherë pas njoftimit të ndarjes nga Martin, ajo humbi një rol filmi për shkak të vëmendjes së madhe mediatike që po rrethonte jetën e saj personale.

Në atë periudhë doja të bëja një film, por ndarja ime me Chris sapo ishte bërë publike dhe reagimi i medias ishte shumë i fortë. Mendoj se distributori vendosi se kjo situatë ishte ‘shumë’ për filmin

-u shpreh aktorja.

Divorci i Paltrow dhe Martin bëri jehonë në mbarë botën, veçanërisht për mënyrën se si ata e përshkruan ndarjen e tyre si një “ndarje me ndërgjegje”, pas më shumë se një dekade martese dhe dy fëmijëve së bashku.

Në deklaratën e asaj kohe, çifti kërkonte respekt për privatësinë e familjes dhe theksonte se do të vazhdonin të rrisnin fëmijët në frymë bashkëpunimi.

Megjithatë, sipas Paltrow, ky mesazh u keqinterpretua. Ajo u shpreh e zhgënjyer nga mënyra se si situata u trajtua profesionalisht:

Ishte absurde. Po kaloja një divorc dhe, si pasojë, më pushuan nga puna

Edhe pse nuk dha detaje mbi filmin apo kompaninë e përfshirë, aktorja la të kuptohet se përvoja ishte e dhimbshme dhe zhgënjyese, veçanërisht në një moment të vështirë personal.

Pavarësisht gjithçkaje, marrëdhënia mes Paltrow dhe Martin mbeti e mirë pas divorcit të finalizuar në vitin 2016.

Madje, në vitin 2019, aktorja zbuloi se ish-bashkëshorti i saj iu bashkua asaj dhe bashkëshortit aktual, Brad Falchuk, në muajin e mjaltit, së bashku me fëmijët e tyre, duke treguar një model të rrallë bashkëprindërimi në Hollywood.