Bota

Hakerat rusë i ndërhynë në sistemin e GPS, në avionin që po udhëtonte Von der Leyen, reagon Kremlini: E pavërtetë!

Zëdhënësi i Presidentit rus Dmitry Peskov e ka cilësuar jo të vërtetë pretendimin se Rusia ishte e përfshirë në ndërhyrjen në navigimin e aeroplanit që po udhëtonte Ursula von der Leyen.

“Informacioni juaj (në lidhje me përfshirjen e supozuar të Rusisë) është i pasaktë”, tha zëdhënësi i Kremlinit për Financial Times.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anna-Kaisa Itkonen, deklaroi në një konferencë për shtyp se aeroplani që udhëtonte von der Leyen në qytetin bullgar të Plovdivit kishte përjetuar një mosfunksionim në sistemin e tij elektronik të navigimit ndërsa po i afrohej aeroportit.

Sipas Itkonen, Komisioni Evropian kishte marrë informacion nga autoritetet bullgare se mosfunksionimi ishte shkaktuar nga “ndërhyrja ruse”.

Avioni i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u detyrua të ulej në Bullgari duke përdorur vetëm hartat e printuara (të ruajtura si PDF në tabletë), për shkak të një sulmi të dyshuar rus që nxori jashtë funksionit sistemin GPS. Këtë e shkruan Financial Times, duke cituar tre burime të informuara. Lajmi është konfirmuar edhe nga zyrtarë të Eurocontrol, agjencia evropiane që mbikëqyr trafikun ajror, si dhe nga platformat që monitorojnë këto raste.

Ngjarja ndodhi të dielën, më 31 gusht, në orët e pasdites. Avioni po e çonte von der Leyen në Plovdiv të Bullgarisë, kur pilotët, gjatë zbritjes, nuk mundën të përdornin sistemet elektronike të navigimit që ndihmojnë në një ulje të saktë dhe të sigurt, pavarësisht motit. Zyrtarët e përshkruan rastin si një “ndërhyrje ruse”. “E gjithë zona e aeroportit mbeti pa GPS,” tha njëri prej tyre për Financial Times. Pas një ore duke fluturuar mbi aeroport, piloti vendosi të ulej “manualisht”, duke përdorur hartat klasike të fluturimit, të cilat gjithmonë mbahen në kabinën e pilotit për raste emergjente.

Platformat e monitorimit tregojnë se më 31 gusht, zona pranë Plovdivit ishte goditur nga një sulm ndaj sinjaleve radio, çka me shumë gjasa e detyroi avionin të përdorte hartat. Burime për Corriere shpjegojnë se presidentja po udhëtonte nga Varshava (u nis në orën 14:37) drejt Plovdivit me një Dassault Falcon 900LX, një avion privat i aftë për fluturime ndërkontinentale, i marrë me qira nga një kompani në Bruksel. Gjatë uljes, avioni bëri disa manovra rreth aeroportit për rreth 20 minuta, përpara se të prekte pistën.

Probleme të tilla janë shtuar shumë që nga shtatori 2023, për shkak të luftërave dhe përdorimit gjithnjë e më të madh të pajisjeve ushtarake që pengojnë sinjalet satelitore. Avionët shpesh marrin sinjale GPS të rreme që çorientojnë sistemet e tyre kompjuterike dhe i lënë pilotët pa ndihmë navigimi.

Sipas një studimi të Universitetit të Stanfordit, gjatë gushtit, nga 90 deri në 150 avionë çdo ditë kanë raportuar probleme serioze me sinjalet satelitore dhe pajisjet në bord, në hapësirën ajrore të Europës, Lindjes së Mesme dhe Azisë. Në vitin 2024, sipas një raporti të OpsGroup, ndër vendet më të prekura nga këto sulme ishte edhe Bullgaria.

Në disa raste avionët janë detyruar të devijojnë fluturimin, siç ndodhi në janar 2025 me një Boeing 737 të Ryanair-it, i cili ishte nisur për në Vilnius, por u ul në Poloni. Për një muaj, kompania Finnair u detyrua të ndalonte fluturimet për në Tartu (Estoni), për shkak të vështirësive të vazhdueshme me sistemin GPS.