Dhjetëra cisterna me naftë janë bllokuar në ujërat e Gjirit Persik, siç raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Bazuar në të dhënat e faqeve që monitorojnë trafikun në atë zonë, “të paktën 150 cisterna” me naftë të papërpunuar dhe gaz të lëngshëm natyror janë ankoruar pranë Ngushticës së Hormuzit dhe nuk po lëvizin.
Pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit e që nisën dje, forca detare e Gardës Revolucionare të Republikës Islamike paralajmëroi se do të bllokojë rrugën e anijeve përmes kësaj ngushtice.
Çfarë është Ngushtica e Hormuzit?
Ngushtica e Hormuzit është një grykë e vogël, por rreth 20% e naftës së botës qarkullon përmes saj, apo mbi 15 milion fuçi çdo ditë.
Shtetet si Arabia Saudite, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Katari e madje edhe vetë Irani, varen nga kjo ngushticë për të eksportuar naftë dhe gaz. Ndaj, nëse ngushtica bllokohet, efektin e ndjen e gjithë bota.
Irani ka kërcënuar me mbyllje të ngushticës edhe në të kaluarën. Teknikisht mundet ta bëjë këtë, duke e kthyer kalimin në të, në shumë të rrezikshëm ose edhe duke ndalur përkohësisht mallrat.
Irani ka ndërtuar fuqi të madhe në rajon: anije të shpejta sulmuese, mina detare dhe raketa kundëranije.
Për të treguar seriozitet, ndër vite, Republika Islamike ka kryer stërvitje dhe në disa raste i ka penguar anijet.