Ndërsa me vendimin e sotëm të Gjykatës Tiranë, Elvis Shkambi, vrasësi i gjykatësit Astrit Kalaja do të qëndrojë pas hekurave, ashtu si edhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, lidhur me krimin tronditës të 6 tetorit në mjediset e Apelit, në emër të tyre është hapur një llogari në “Gofoundme”.
Me moton: “Drejtësi dhe Përfaqësim i Drejtë për Elvis e Gjon Shkambin”, aty kërkohet ndihmë financiare për shpenzimet e gjyqit.
Në “Gofoundme” në vetëm pak orë janë mbledhur mbi 8,626 dollarë nga 31 donacione, ku bie në sy fakti se ka persona që kanë dhuruar shuma prej 1 mijë dollarësh.
Targeti i vendosur është 14 mijë dollarë ndërsa në mesazhin e shpërndarë nga organizatori Françesk Shkambi thuhet:
Përshëndetje! Dua të ndaj me ju një kauzë që ka vërtet nevojë për mbështetjen tonë: të drejtat ligjore të Elvis dhe Gjon Shkambit, të cilët po përballen me një betejë të dhimbshme për përfaqësim të drejtë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Kontributi juaj, sado i vogël, do të ketë një ndikim domethënës në luftën e tyre për drejtësi, ndaj ju lutemi të merrni në konsideratë mundësinë për të dhuruar ose për të ndarë këtë link me të tjerët që mund të ndihmojnë. Faleminderit që po e merrni kohën për të mbështetur këtë kauzë të rëndësishme!
