Aktualitet

Hetimet për Veliajn, Apeli i Posaçëm: Nuk ka ndërhyrje ndaj gjyqtares Olldashi!

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar deklaroi sot se në asnjë rast nuk ka patur dhe nuk ka ndërhyrje ose ushtrim të ndikimit të papërshtatshëm lidhur me funksionin e gjyqtares së kësaj Gjykate, magjistrates Iliriana Olldashi.

Reagimi i Apelit të GJKKO-së vjen pas deklaratës për shtyp të anëtarit të kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi të datës 13 shkurt, i cili tha se “ndaj gjyqtares Olldashi kanë filluar mesazhet, si joshëse ashtu edhe kërcënuese, për të favorizuar Erion Veliajn dhe grupin e tij kriminal dhe për të anashkaluar ligjin”.

Me synimin e përgënjeshtrimit të informacionit të pasaktë, të publikuar në datën 13.02.2025 dhe të cituar në media të ndryshme edhe më datë 14.02.2025, të cilat dëmtojnë imazhin e paanësisë dhe drejtësisë së gjyqtarit, dhe, në rastet më të rënda, të vetë funksionit gjyqësor, Shërbimi për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bën me dije publikun dhe median se, në asnjë rast nuk ka patur dhe nuk ka ndërhyrje ose ushtrim të ndikimit të papërshtatshëm lidhur me funksionin e gjyqtares së kësaj Gjykate, magjistrate Iliriana Olldashi, thuhet në deklaratën e Apelit të GJKKO-së.

Njoftimi i mësipërm, sipas deklaratës, përcillet në dijeninë e publikut dhe medias në garantim të ruajtjes dhe forcimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë si dhe, në përputhje me parimet e korrektesës, vetëpërmbajtjes dhe maturisë së gjyqtarit, të përcaktuara në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.