Aktualitet

Kërkon ndryshim të arrestit në burg, sot seanca në Apel mbi kërkesën e Veliajt!

Sot Apeli i Posaçëm shqyrton kërkesën e Erion Veliajt për ndryshimin e masës së sigurisë.  Kryetari i Bashkisë Tiranë ka ankimuar vendimin e 1 shkurtit lidhur me vijimësinë e arrestit në burg. Ai ka kërkuar një masë më të butë, duke ofruar edhe garanci pasurore apo çdo masë tjetër veç asaj në fuqi. Apeli i Posaçëm duhet të vlerësojë nëse janë kushtet dhe kriteret ligjore që Veliaj të lërë qelinë.

Kërkesa bëhet pas vendimit të kalimit të çështjes për gjykim, që sipas mbrojtjes “nuk ka mundësi të prishë provat”. Në të gjitha seancat, kryebashkiaku ka pretenduar se i është mohuar e drejta për mbrojtje efektive, pasi ende nuk është njohur me dosjen hetimore.

Ai ka refuzuar avokaten e caktuar kryesisht nga gjykata dhe ka kundërshtuar çdo formë mbrojtjeje të realizuar prej saj, duke argumentuar se “nuk ka njohje reale mbi dosjen penale” dhe se një përfaqësim i tillë “është në kundërshtim të plotë me interesat dhe strategjinë e tij të mbrojtjes” e nuk përfaqëson vullnetin e tij.

Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar, ndërsa SPAK-u e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë.

Ndaj Veliajt, Prokuroria e Posaçme renditi 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre e futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave lidhet me korrupsionin pasiv të kryer në 9 raste, në raport me disa kompani, për të cilat SPAK-u thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme e që nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi duke përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK-u për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njësoj si Erion Veliaj. Gjithashtu, Xoxa akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.