Punch, një makak japonez 6-muajsh në kopshtin zoologjik të Ichikawa-s pranë Tokios, u braktis nga nëna që në ditët e para të jetës. Kujdestarët e rritën me shishe dhe i dhanë një lodër orangutani prej pelushi si zëvendësim për ngrohtësinë e nënës. I vogli nuk ndahet nga lodra e tij; fle, luan dhe përpiqet të integrohet në grup duke e mbajtur fort në krahë. Pamjet e tij u bënë virale në rrjetet sociale me hashtagun #HangInTherePunch, duke mbledhur dhjetëra mijëra reagime emocionale.

Sot Punch po rritet dhe po mëson të bashkëjetojë me tufën, ndërsa vizitorët mblidhen çdo ditë për ta parë nga afër. “Është më i fortë se sa duket”, thonë kujdestarët. Historia e tij është një kujtesë prekëse se edhe në botën e egër, dashuria qoftë edhe prej pelushi bën diferencën. Një këlysh i rrallë me qime të ndezura portokalli ka lindur në kopshtin zoologjik britanik Whipsnade, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e vizitorëve dhe ekspertëve të faunës. Bëhet fjalë për një mashkull të species Francois’ langur, i cili erdhi në jetë më 1 shkurt. Ai lindi nga nëna 10-vjeçare Nguyen dhe babai 9-vjeçar Wang.
Këta primatë konsiderohen të rrezikuar, me vetëm rreth 2000 individë që besohet se kanë mbetur në natyrë, kryesisht në Kinë dhe Vietnam. Gjuetia e paligjshme dhe humbja e habitatit janë ndër kërcënimet kryesore për mbijetesën e tyre. Të vegjlit e kësaj specie lindin me qime të ndezura portokalli, një ngjyrë që me kalimin e kohës zbehet dhe bëhet e zezë në moshë madhore. Ngjyra e fortë ndihmon që të vegjlit të dallohen lehtësisht nga anëtarët e tjerë të tufës gjatë kujdesit kolektiv.