Presidenti Bajram Begaj dhe bashkëshortja e tij, Amanda Begaj, kanë mbërritur në Vatikan këtë të premte, ku po marrin pjesë në homazhet për Papa Françeskun, ndërsa nesër do te jënë të pranishëm në ceremoninë mortore të kreut të Kishës Katolike.
Presidenti ka publikuar një foto në rrjetet sociale, ku duket bashkë me kardinalin shqiptar, Ernest Simoni, presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe krerët fetarë në Shqipëri: Kreu i Kishës Katolike, Arjan Dodaj, Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Kryepeshkopi i Ortodoksëve, Joani. Presidenti i Rëpublikës shoqërohet në këto homazhe nga Ambasadorja e Republikës në Vatikan, Majlinda Frangaj.
“Bashkë, për të nderuar Papa Françeskun.
Nderojmë kujtimin e Shenjtërisë së Tij, që na la një trashëgimi shpirtërore dhe morale për ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe të jetësojmë vizionin e tij për drejtësinë, solidaritetin dhe paqen”,- shkruan Begaj bashkangjitur fotos së publikuar.
Mijëra besimtarë dhe mbi 170 delegacione nga mbarë bota do të mblidhen të shtunën më 26 prill, në orën 10:00, për funeralin e Papa Françeskut para Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan. Ceremonia pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha shtetërore dhe fetare të dekadës, me praninë e krerëve të shteteve, qeverive dhe udhëheqësve shpirtërorë.
Në mbrëmjen e sotme, në orën 20:00, do të mbahet ceremonia e mbylljes së arkivolit të Papës në Bazilikën e Shën Pjetrit, e udhëhequr nga Kardinali Kevin Joseph Farrell, Camerlengo i Kishës Katolike. Të pranishëm do të jenë edhe shumë nga hierarkët më të lartë të Selisë së Shenjtë, përfshirë kardinalë dhe përfaqësues të Sekretariatit të Shtetit.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, ka bërë të ditur se priten mbi 200,000 persona në ceremoninë e së shtunës, ndërsa mbi 1,000 efektivë sigurie janë angazhuar për mbarëvajtjen e ceremonisë.
Trupi i Papa Françeskut do të prehet në Bazilikën e Santa Maria Maggiore, në një varr prej mermeri ligurian me mbishkrimin e thjeshtë “FRANCISCUS” dhe një riprodhim të kryqit që mbante në kraharor. Vendi i varrimit ndodhet pranë Altarit të Shën Françeskut, midis Kapelës Pauline dhe Kapelës Sforza.
Ngushëllime kanë ardhur nga e gjithë bota, përfshirë presidentin izraelit Isaac Herzog, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu u bë pjesë e debatit publik për vonesën në shprehjen e ngushëllimeve. Nga Rusia, presidenti Putin do të mungojë, por ka dërguar Ministren e Kulturës, Olga Lyubimova, si përfaqësuese zyrtare.
Papa Françesku, një papë i përulët dhe i guximshëm në reforma, i dashur për njerëzit e thjeshtë dhe respektuar nga liderët botërorë, do të përcillet me nderimet më të larta, duke lënë pas një trashëgimi që do të kujtohet gjatë.