Aktori i njohur Hugh Grant, 64 vjeç, ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij lidhur me përdorimin e teknologjisë në shkollat elitare që ndjekin fëmijët e tij.
Në një intervistë së fundmi, Grant u tregua kritik ndaj kohës së madhe që fëmijët kalojnë përpara ekraneve, duke theksuar ndikimin negativ që kjo ka në zhvillimin e tyre.
Aktori, i cili ka pesë fëmijë – tre me bashkëshorten e tij Anna Eberstein dhe dy nga një marrëdhënie e mëparshme me Tinglan Hong – është bërë pjesë aktive e fushatës kundër përdorimit të tepruar të pajisjeve elektronike në arsim.
Gjatë një paneli diskutimi në një nga shkollat prestigjioze të Londrës, Grant e përshkroi veten si një prind që përballet përditë me sfidën e kufizimit të kohës që fëmijët e tij kalojnë para ekranit.
Ai kritikoi ashpër rregullat e shkollave private që, sipas tij, justifikojnë shmangien e aktiviteteve fizike për shkak të kushteve atmosferike.
Këta janë ata që thonë se nuk do të luajnë jashtë sepse po bie shi. Kjo është patetike
– tha Grant, duke shtuar se sistemi arsimor ka nevojë për ndryshime që të nxisin më shumë aktivitet fizik dhe një mënyrë jetese më të shëndetshme për fëmijët.
Aktori theksoi gjithashtu shqetësimin e tij për faktin që shumica e punëve të shkollës dhe detyrave të shtëpisë bëhen nëpërmjet Chromebook-ëve, duke e konsideruar këtë një qasje të gabuar:
Kur dëgjon se çdo fëmijë merr një Chromebook dhe gjithë mësimi zhvillohet aty, mendon: kjo është gjëja e fundit që u duhet fëmijëve
Sipas tij, është koha për të menduar ndryshe dhe për të ndërtuar një sistem të ri arsimor, që vendos në qendër mirëqenien dhe zhvillimin fizik të fëmijëve.