Pas humbjes së rëndë në finalen e Championsit, ku Interi u mund me rezultatin e thellë 5-0 nga PSG, kapiteni i zikaltërve, Lautaro Martinez, ka folur për herë të parë. Sulmuesi argjentinas u ndal për të komentuar për mediat mbi atë humbje dhe atë çka ka ndodhur më pas. “Ende nuk e kuptoj mirë atë çka ndodhi, por tani duhet të kthehemi nga një faqe e re”, tha Lautaro.
“Kam kërkuar nga shokët e skuadrës një përpjekje të fundit, të jemi të fortë mendërisht, para se të nisë pushimi. Pas ndeshjes me PSG-në, isha shumë i trishtuar. Ishte shumë e vështirë të gjeja arsyet, m’u deshën 5-6 ditë për të folur dhe për të shpjeguar gjithë këtë te njerëzit e mi. Ajo natë ishte një katastrofë, asgjë nuk na shkoi në favor, ndërsa gjithçka shkoi për ta. Nuk ishim më ne, nuk ishim skuadra. Ky është futbolli. Por tani nuk kemi rrugë tjetër përveçse të ecim përpara, edhe pse në kokë mbetet gjithçka”.
Në lidhje me bashkëpunimin me trajnerin e ri, Kivu, Lautaro është optimist.
“Kam biseduar me trajnerin në telefon para fillimit të stërvitjeve, kemi folur për idetë e tij të lojës dhe mënyrën e punës. Jemi të një mendjeje, mendojmë njësoj. Ai është një trajner që dëshiron të fitojë me mentalitetin e duhur dhe këto gjëra na pëlqejnë shumë. Ajo që kaluam ishte shumë e vështirë, por nuk ka kohë për të menduar. Duhet të ndryshojmë faqe”, tha ndër të tjera Lautaro.