Ditën e sotme pezullohen të gjitha gjyqet në Gjykatën e Apelit. Kjo pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja nga 30-vjeçari Elvis Shkambi brenda sallës së gjyqit, në Gjykatën e Apelit Tiranë, një ngjarje që ka tronditur mbarë opinionin publik.
Mësohet se do të hidhet shorti vetëm për 12 masa sigurie, pasi mbaron afati. Të 12 masat i kishte gjyqtari që u ekzekutua një ditë më parë. Burimet thonë se gjyqtari ishte në treshe me Gilda Hoxhën e Enkelejda Bajon.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se dy gjyqtaret dolën kur sapo u dha vendimi mbi një konflikt pronësie në Shkodër ndërsa gjyqtari Kalaja po mblidhte dosjen në momentin kur u qëllua. Këtë e konfirmoi në dëshminë e saj edhe sekretarja që ishte e pranishme.
Ndërkaq, një koleg gjyqtar i të ndjerit rrëfeu për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha bisedën e fundit me Astrit Kalanë, para seancës që tragjikisht, rezultoi e fundit për të.
Martoj vajzën dhe jam i lumtur. Mezi e pres atë ditë, ishin fjalët e gjyqtarit.
Ka diskutime që ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit të gjyqtarit që u vra në krye të detyrës, të jetë një ceremoni shtetërore që të organizohet nesër.