Aktualitet Politikë

Institucionet e drejtësisë nuk çuan ekspertë, Xhafaj: Treguan besim ndaj Kuvendit!

Kryetari i Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj komentoi sot faktin se disa institucione të Drejtësisë nuk pranuan të dërgojnë ekspertë pranë këtij komisioni, ndërsa u shpreh se “ata kanë përcaktuar qartë detyrimin kushtetues, ligjor dhe institucional që kanë për të kontribuar në këtë vend”. Gjatë një konference për shtyp, Xhafaj iu përgjigj interesimit të gazetarëve mbi këtë çështje ndërsa u shpreh se nuk bëhet fjalë për refuzim të komisionit nga ana e tyre.

Mendoja që sqarimi që bëri ambasadori i BE-së ishte i mjaftueshëm, por me sa duket ka nevojë për detaje. Nuk bëhet fjalë për refuzim se nuk refuzohet Kuvendi. Kuvendi është shprehje e vullnetit të popullit. Nga Kuvendi burojnë pushtetet e tjera. Fjala refuzim është e papërshtatshme. Sa i përket çështjes, ata kanë përcaktuar detyrimin kushtetues, ligjor, institucional për të kontribuar në këtë proces.

Duke u ndalur te objekti i punës së komisionit, Xhafaj sqaroi se “nuk ka asnjë tejkalim jashtë rezolutës dhe Kuvendit”.

Kuvendi bën planin e veprimit ku përfshin të tre pushtetet dhe krijon ligje. Siç bën rëndom kur bën ligje, merr edhe kapacitete shtesë për të prodhuar një reformë të këtyre përmasave. Standardi që propozuam ishte ngritje e grupeve të ekspertëve. Në fushën e drejtësisë u thamë ta bëjnë vetë analizën dhe të na e sjellin në komision, pa e përfshirë me pjesën tjetër të grupit. Eshtë shenjë pjekurie.

Sipas tij, institucionet e drejtësisë kanë sjellë amendamente të ndryshme pranë komisionit, duke kërkuar ndryshimin në total të 140 neneve.

Ata thanë jo. Ne kemi besim te Kuvendi. Bëjeni ju dhe sa herë të jetë e nevojshme do jemi aty. Janë zgjidhje të ndryshme. Për ne ka rëndësi që të bëhet një proces sa më transparent, kur bëhet fjalë për ndryshime të ligjeve. Nuk jemi ne që nxitojmë të ndryshojmë ligje të drejtësisë, por të bëhet me proces transparent. Kjo është e gjithë historia. Eshtë aq e thjeshtë sa nuk e mendoni dot. Ne deshëm të bënim një zgjidhje që t’ua linim atyre këtë gjë si përgjegjësi që kanë për fatet e sistemit, por ata thanë bëjeni ju sepse kemi besim te Kuvendi. Në fund fare duan të jenë pjesë e tryezës ku do të diskutohet kapitulli i tyre.

Përjashtim sipas tij, bën Gjykata Kushtetuese e cila është plotësisht në të drejtën e vetë.

Për Gjykatën Kushtetuese mund të ishim një një lloj konflikti, por edhe ata kanë thënë kur të gjykohet rreth ligjit tonë duam të jemi prezent.