Një institut kërkimor shkencor i njohur për dekada me radhë për punën e tij në shkencën bazë ka nisur një iniciativë ambicioze të fokusuar në shëndetin e trurit të njeriut. Instituti Allen ka njoftuar krijimin e programit “Brain Health Accelerator”, një projekt 14-vjeçar me vlerë 400 milionë dollarë që synon zhvillimin e terapive gjenetike për pesë sëmundje neurodegjenerative: sëmundjen e Alzheimerit, Huntingtonit, Parkinsonit, demencën me trupa Lewy dhe sklerozën laterale amiotrofike (ALS).
Objektivi kryesor i projektit është që brenda pesë viteve të ardhshme të testohet tek njerëzit të paktën një trajtim i ri për një nga këto sëmundje. Drejtori ekzekutiv i projektit, Ed Lein, e cilësoi nismën si një përpjekje për të shfrytëzuar teknologjitë më të avancuara në hartëzimin e trurit dhe terapitë gjenetike për të kuptuar më mirë se si zhvillohen dhe përparojnë këto sëmundje.
Gjysma e financimit vjen nga Instituti Allen, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga familja Bezos, Amazon Web Services, Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA (NIH) dhe organizata jofitimprurëse EverythingALS. Shkencëtarët planifikojnë të përdorin teknologjinë e analizës së qelizave individuale për të studiuar biologjinë bazë të secilës sëmundje, mënyrën e përparimit të saj dhe llojet e qelizave nervore që preken. Më pas, këto njohuri do të shfrytëzohen për krijimin e terapive gjenetike që mund të ngadalësojnë ose korrigjojnë proceset patologjike. Sipas ekspertëve, një nga arsyet kryesore pse trajtimet për sëmundjet neurodegjenerative kanë dështuar deri tani është se rezultatet e marra nga modelet laboratorike te kafshët nuk përkthehen gjithmonë te njerëzit.