Normat e interesit të depozitave në Lekë pësuan rënie në 12 muajt e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për qershorin norma mesatare e interesit për depozitat e reja me afat të individëve ishte 1.58% nga 1.62% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar dhe 2.02% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ulja e normave të interesit nga Banka Qendrore është përcjellë edhe te normat e interesit të depozitave në Lekë. Por, megjithatë, duket se në gjysmën e parë të vitit, rënia e normave të interesit është ngadalësuar ndjeshëm. Madje, norma mesatare e interesit për sasitë gjendje të depozitave është pothuajse e pandryshuar gjatë gjithë pjesës së parë të këtij viti.
Pavarësisht se sinjalet e politikës monetare prej një viti janë për një ulje të normave të interesit (mes korrikut 2024 dhe korrikut 2025, norma bazë është ulur nga 3.25% në 2.5%), brenda sektorit bankar ka një konkurrencë në rritje për depozitat e publikut.
Kjo konkurrencë ka tendencën të bëhet më e theksuar gjatë muajve të verës, kur prurjet e depozitave janë më të mëdha, për shkak të sezonit turistik. Kërkesa vjen sidomos prej bankave që në vitet e fundit po rriten me ritme më të shpejta dhe që kanë nevojë për të shtuar fondet që mbështesin rritjen e huadhënies. Edhe në këtë periudhë, disa prej bankave kanë dalë me oferta depozitash që në nivelet e tyre maksimale janë ndjeshëm më të larta se ato mesatare të raportuara nga Banka e Shqipërisë. Në këtë kuptim, për depozitat tregu ofron edhe kthime më të larta se ato që tregojnë shifrat mesatare zyrtare.
Ndërkohë, normat e interesit për depozitat në monedhën Euro ngelen më të ulëta, por me një luhatshmëri më të lartë gjatë muajve të fundit. Për qershorin, norma mesatare e interesit për depozitat e reja në Euro ishte 1.27%, nga 1.12% në fund të vitit 2024 dhe 1.53% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe Banka Qendrore Europiane (ECB) prej fillimit të vitit 2024 ka nisur uljen e normave të interesit. Kjo ulje është reflektuar edhe në treguesit benchmark të tregjeve për monedhën europiane, kryesisht të Euriborit. Megjithatë, edhe në periudhën kur normat e ECB-së ishin më të larta, normat e interesit të depozitave në tregun shqiptar shënuan një rritje mjaft modeste.
Në rastin e Euros, konkurrenca e produkteve të tjera financiare është më e dobët, sepse individët nuk kanë shumë alternativa investimi financiar me rrezik të ulët, siç ndodh me Lekun. Gjithashtu, ndërmjetësimi në Euro për bankat ka kosto më të lartë, sepse Banka e Shqipërisë aplikon normë remunerimi zero për rezervat e detyrueshme në valutë, përveçse kërkon edhe nivele më të larta të këtyre rezervave./ Monitor