Interi e nis vitin e ri me një fitore të rëndësishme, por jo pa lënë hapësirë për reflektim. Suksesi 3-1 ndaj Bolonjës rikthen zikaltërit në krye të renditjes së Serie A. Një rezultat i rëndësishëm, që konfirmon momentin pozitiv të skuadrës. Fitorja ishte e pesta radhazi në kampionat dhe tregoi një Inter dominues në lojë. Skuadra e Kivu-s krijoi shumë raste, kontrolloi ritmin dhe imponoi superioritet. Pas golit të dytë të Lautaro Martinez, ndjesia ishte ajo e një ndeshjeje të mbyllur. Megjithatë, pikërisht aty dolën në pah kufijtë. Interi vazhdoi të sulmonte, por nuk arriti ta mbyllë ndeshjen më herët. Mungesa e cinizmit mbetet një temë e hapur.
Raste të pastra për gol u shpërdoruan, një goditje u ndal nga traversa, ndërsa portieri Ravalia u bë protagonist me disa pritje vendimtare. Dominimi ishte i qartë, por rezultati mund të ishte më bindës. Një problem që është shfaqur edhe më parë në ndeshjet e mëdha të sezonit. Përballë Juventusit, Napolit dhe Milanit, Interi kishte prodhuar lojë dhe raste, por pa arritur të marrë maksimumin. Një detaj që peshon shumë në garën për titull. Sepse këtë sezon lufta është e hapur. Napoli dhe Milani mbeten rivalë të drejtpërdrejtë dhe çdo pikë mund të bëjë diferencën. Në këtë nivel, gabimet nuk falen. Interi ka cilësi, ide dhe intensitet.
Por për të fituar Skudeto-n, nuk mjafton vetëm të dominosh. Duhet të godasësh në momentin e duhur. Në javët në vijim, sfida e vërtetë do të jetë pikërisht kjo: ta shndërrojë lojën e bukur në fitore të sigurta dhe vendimtare. Ndaj Parmës të mërkurën do të luhet java e fundit për fazën e pare, me zikaltrit që do të kërkojnë të ruajnë kryesimin. Ndërsa gjysma e dytë e sezonit do të nis “zjarr” për Interin, me armatën e udhëhequr nga Kristian Kivu, që do të sfidojë Napolin kampion. Humbja e fazes së pare 3-1 në “Maradona”, por për më tepër mungesa e fitoreve ndaj rivalëve “big”, që synojnë titullin, do duhet të jetë motivi kryesor për milanezët, për të tentuar kthesën. Interi i Kivut ka nevojë ende të konfirmojë forcën e tij.