Politikat e zhvillimit kanë ndikuar në krijimin e një zhvillimi të pabarabartë rajonal. Në disa qarqe, ku investimet publike janë rritur më shumë, edhe ekonomia është rritur më fort se në të tjerat. Të dhënat zyrtare të INSTAT-it për vitin 2023 tregojnë se Qarku i Vlorës kishte rritjen më të fortë të PBB-së, me 5.2% në krahasim me vitin 2022, duke kryesuar ndaj 11 qarqeve të tjera. Në të kundërt, Qarku i Shkodrës kishte rritjen më të dobët, vetëm 1.3%, ose rreth një të katërtën e rritjes prej 4% në rang kombëtar.
Ndër qarqet me rritjen më të lartë ekonomike pas Vlorës ishin Tirana dhe Durrësi, përkatësisht me 4.7% dhe 4.1%, të ndjekura nga Lezha dhe Korça. Në anën tjetër, qarqet e veriut, Shkodra (1.3%) dhe Dibra (2.1%), të ndjekura nga Elbasani (2.6%), Berati (2.7%) dhe Kukësi (2.8%), janë rritur nën mesataren kombëtare.
Harta e rritjes ekonomike rajonale tregon se qarqet me rritjen më të fortë kanë zhvilluar turizmin ose kanë përfituar nga projekte të mëdha të infrastrukturës publike.
Vitet e fundit, qeveria ka veçuar Vlorën si një qark ku investimet publike janë shumë më të larta se në të tjerat. Një bypass i ri në Vlorë u ndërtua nga e para, rruga e Lumit të Vlorës, Tuneli i Llogorasë, që kanë nxitur bumin e ndërtimit të fshatrave turistike dhe aeroporti i ri është drejt përfundimit.
Në të kundërt, Shkodra, që në vijë ajrore është shumë afër me qendrën e vendit dhe e pasur me burime natyrore e turistike, po dobësohet në të gjithë treguesit demografikë dhe ekonomikë. Krahasuar me rajonet e tjera të veriut, performanca e Shkodrës është dukshëm më e dobët.
Durrësi ka pasur një rritje prej 4.02%, Lezha 3.67% dhe Kukësi 2.76%. Në të njëjtën kohë, Dibra ka pasur një rritje më të ngadaltë prej 2.13%, por megjithatë më të lartë se ajo e Shkodrës.
Ritmi i ulët i zgjerimit ekonomik në Shkodër tregon se, ndonëse rajoni verior në tërësi u rrit me 3.05% në vitin 2023, ka mbetur pas mesatares së rajonit dhe ndjeshëm poshtë mesatares kombëtare.
Ekonomia e qarkut mbetet e përqendruar kryesisht në sektorë tradicionalë, si bujqësia, tregtia me pakicë dhe shërbimet bazike, të cilët kanë produktivitet më të ulët dhe janë më pak të lidhur me dinamikën e tregjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Mungesa e diversifikimit ekonomik dhe e investimeve të mëdha private e publike e ka bërë Shkodrën të ketë më pak rritje. Turizmi, ndonëse ka potencial të madh, nuk ka arritur ende të krijojë ndikim të qëndrueshëm në rritjen ekonomike.
Infrastruktura e transportit, lidhjet e kufizuara rrugore me zonat e tjera ekonomike të vendit dhe mungesa e investimeve në logjistikë kanë kufizuar flukset tregtare dhe turistike të Shkodrës.
Një tjetër faktor është emigracioni i vazhdueshëm, sidomos i të rinjve dhe i forcës së kualifikuar të punës, që ka tkurrur bazën aktive ekonomike dhe ka vështirësuar zhvillimin e bizneseve në zonë./Monitor