Gjatë gjyqit federal ndaj Sean “Diddy” Combs, i cili po përballet me akuza për trafik seksual dhe organizim kriminal, një dëshmi tronditëse ka dalë në dritë nga ish-asistenti i tij, David James.
Sipas transkripteve të siguruara nga “NBC News”, James deklaroi në sallën e gjyqit se Diddy udhëtonte gjithmonë me 25 deri në 30 shishe pilulash, përfshirë disa pilula të pazbuluara me fytyrën e ish-presidentit Barack Obama.
Ishin pilula të ndryshme, por njëra kishte formën e fytyrës së një ish-presidenti
-tha James, duke shtuar se bëhej fjalë për “Presidentin Obama”.

E! News raporton se ka kontaktuar me ekipin e Obamës për një reagim, por ende nuk ka marrë përgjigje.
James gjithashtu dëshmoi se Combs mbante Viagra, Tylenol, Percocet, Advil, ekstazi, pilula për ujin dhe të tjera për rritjen e numrit të spermatozoidëve. Ai shtoi se Diddy kërkonte të kishte gjithmonë të paktën 10,000 dollarë para të gatshme gjatë udhëtimeve, “dhe ndonjëherë shumë më tepër”.
Në një pjesë tjetër të dëshmisë, James tregoi se shefi i tij e urdhëronte të blinte vaj për foshnje, lubrifikant dhe prezervativë me para në dorë, ndërkohë që Combs e rimbursonte personalisht për të mbajtur blerjet jashtë librave të kompanisë.
Dëshmitari, i cili kishte firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me prokurorët përpara dëshmisë, pranoi se Combs nuk ishte një shef bujar dhe se vendosi të largohej nga puna në vitin 2008, pas një incidenti kur Diddy dyshohet se kishte kërcënuar me armë rivalin muzikor Suge Knight – i cili aktualisht është në burg me një dënim 28-vjeçar për vrasje.
U trondita thellësisht. Ishte hera e parë që e ndjeva jetën time në rrezik gjatë punës. I thashë se doja të largohesha, por që do jepja një njoftim gjashtëmujor për të trajnuar pasuesin tim.
Gjyqi ndaj Diddy-t pritet të zgjasë deri në korrik, ndërsa ai i ka mohuar të gjitha akuzat dhe konsideron veten të pafajshëm edhe ndaj akuzave të ndara për sulme seksuale që kanë dalë pas arrestimit të tij.