Bota Gossip Showbiz

Ish-ylli i West Brom arrestohet pas operacionit antidrogë në zonën turistike!

Një ish-futbollist i njohur i West Bromwich Albion është arrestuar në Spanjë pas një operacioni antidrogë në një nga zonat më të frekuentuara turistike të Costa del Sol. 47-vjeçari britanik u ndalua nga policia pasi u kap duke dalë nga një qendër tregtare me një qese që përmbante kanabis, të cilin sipas tij e kishte blerë brenda ambienteve të kompleksit.

Operacioni u zhvillua në Riviera del Sol, mes Marbella dhe Fuengirola, ku forcat e rendit kishin vënë re lëvizje të dyshimta të personave që hynin dhe dilnin nga një lokal në qendrën tregtare Las Terrazas. Pas ndalimit të tij, policia kreu kontroll në ambientet e dyshuara, ku zbuloi një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, përfshirë mbi një kilogram kanabis dhe qindra gramë hashash, si dhe para cash.

Në vendngjarje u sekuestruan gjithashtu materiale të përdorura për paketimin dhe shpërndarjen e drogës, përfshirë peshore dixhitale, kavanoza dhe qese të veçanta për shitje. Autoritetet bënë me dije se personi përgjegjës për ambientin u arrestua për vepra penale që lidhen me shëndetin publik dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Identiteti i ish-futbollistit nuk është bërë publik deri më tani, ndërsa nuk dihet ende nëse ai është paraqitur para gjykatës apo është liruar me kusht në pritje të hetimeve. Operacioni është vlerësuar nga autoritetet lokale si rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme për garantimin e sigurisë në zonat turistike dhe për goditjen e aktiviteteve të paligjshme.