Gossip

Aktorja e njohur turke në mes të skandalit të drogës?

Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar në Stamboll ka tronditur opinionin publik në Turqi, pasi mes personave të shoqëruar nga policia ndodhet edhe aktorja e njohur Ezgi Eyüboğlu, së bashku me menaxherin e saj, Eser Küçükerol.

Sipas mediave turke, aksioni u zhvillua në disa banesa dhe ambiente të dyshuara për veprimtari të paligjshme, ku u ndaluan përkohësisht shtatë persona.

Të gjithë u dërguan për procedura standarde dhe analiza mjeko-ligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore, përpara se të liroheshin.

Prokuroria e Stambollit ka konfirmuar se hetimi përfshin akuza të rënda si blerje dhe përdorim droge, prodhim dhe trafik narkotikësh, si edhe nxitje për prostitucion, pa sqaruar ende rolin konkret të secilit të përfshirë. Hetimet vijojnë dhe priten zhvillime të reja.

Avokati i Ezgi Eyüboğlu ka reaguar duke mohuar çdo lidhje të aktores me aktivitetet e paligjshme, duke theksuar se ajo ndodhej rastësisht në banesën e menaxherit të saj në momentin e kontrollit policor dhe se ka bashkëpunuar plotësisht me autoritetet.

Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar armë pa leje, pilula narkotike, drogë kristal dhe kartëmonedha false, çka ka shtuar dyshimet për një rrjet më të gjerë kriminal. Ndërkohë, autoritetet kanë bllokuar edhe pasuritë e Kasım Garipoğlu, një person i shpallur në kërkim, i dyshuar si pjesë e kësaj dosjeje.

Rasti mbetet në hetim, ndërsa prania e emrave të njohur e ka kthyer operacionin në një nga më të komentuarit e momentit.