Reperja e njohur Ice Spice ka vendosur t’u japë fund spekulimeve rreth ndryshimit të saj fizik, duke folur hapur për humbjen në peshë dhe akuzat se ka përdorur Ozempic.
Artistja 26-vjeçare reagoi publikisht më 25 shkurt, pas komenteve në rrjetet sociale që sugjeronin se transformimi i saj ishte rezultat i medikamentit të përdorur shpesh për diabetin, por që është bërë i njohur edhe për efektet në rënie peshe.
Gjithçka nisi kur një përdorues në platformën X ironizoi videot e saj nga palestra, duke shkruar se humbja e peshës ishte “qartësisht nga Ozempic”.
Përgjigjja e artistes ishte e drejtpërdrejtë dhe e papritur:
Jo, ishte depresioni. Tani jam më mirë.
Rrëfimi i saj preku menjëherë fansat, të cilët reaguan me mesazhe mbështetjeje dhe empatie. Shumë vlerësuan sinqeritetin e saj për të folur për shëndetin mendor, duke theksuar se depresioni është një çështje serioze që nuk duhet nënvlerësuar.
Nuk është hera e parë që Ice Spice përballet me thashetheme të tilla.
Që në vitin 2024, ajo kishte mohuar publikisht zërat për përdorimin e Ozempic, duke sqaruar se turnetë intensive, palestra dhe një stil jetese më i shëndetshëm kishin ndikuar në ndryshimin e trupit të saj.
Deklarata e fundit, megjithatë, zbulon një anë më personale të artistes, duke treguar se pas suksesit dhe famës fshihen shpesh sfida të vështira emocionale.
Sot, ajo shprehet se ndihet më mirë dhe duket e fokusuar në mirëqenien e saj mendore, duke e vendosur atë në prioritet.