Rritet numri i aeroporteve në Itali që po përballen me mungesë karburanti për avionë, duke ngritur shqetësime për sezonin turistik veror dhe lëvizjen ajrore në muajt në vijim.
Sipas buletineve aeronautike NOTAM, pas paralajmërimeve fillestare për katër aeroporte, një njoftim i ri është lëshuar edhe për Brindisin, ku linjat ajrore nuk do të mund të furnizohen normalisht me karburant. Në dokument thuhet se janë në dispozicion vetëm “sasi të kufizuara”, të rezervuara për fluturime qeveritare, emergjente dhe mjekësore. Për pasojë, avionët do të duhet të planifikojnë furnizimin që nga aeroportet e mëparshme.
Kufizime të ngjashme janë raportuar edhe në Reggio Calabria e Pescara, ndërsa kompania Air BP Italia ka njoftuar shpërndarje të kufizuar karburanti për fluturimet drejt aeroporteve të Milano Linate, Venecia, Treviso dhe Bolonja.
Disa ekspertë e lidhin situatën me efektet e mundshme të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global të naftës. Megjithatë, autoriteti italian i aviacionit civil, ENAC, ka sqaruar se kryesisht, kufizimet lidhen me rritjen sezonale të trafikut gjatë festave të Pashkët.
Evropa importon rreth 30% të karburantit për avionë, ndërsa linja ajrore si Ryanair dhe Lufthansa kanë paralajmëruar për pasoja të mundshme nëse kriza në Gjirin Persik përshkallëzohet në muajt maj e qershor. Probleme të ngjashme janë raportuar edhe në disa aeroporte në Azi.
Pasiguria prek drejtpërdrejt edhe sektorin e turizmit. Sipas Assoviaggi të Confesercenti, turizmi i organizuar po përballet me rritje të kostove për shkak të çmimeve të larta të karburantit dhe forcimit të dollarit ndaj euros.
Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se edhe udhëtarët individualë mund të përballen me çmime më të larta e rrezik anulimesh. Sigurimi i udhëtimit kundër anulimeve për shkak të mungesës së karburantit mund të kushtojë deri në 8% të vlerës totale të pushimeve, sipas Codacons.
Megjithatë, autoritetet në rajonin e Pulias përpiqen të qetësojnë situatën. Presidenti i Aeroporteve të Pulias, Antonio Maria Vasile, deklaroi se furnizimet në Brindisi pritet të rikthehen shpejt dhe se aktualisht nuk ka emergjencë.
Sasia e karburantit është në monitorim të vazhdueshëm dhe situata është nën kontroll. Nuk ka arsye për alarm. Operacionet po vijojnë normalisht dhe pa rrezik të menjëhershëm për mungesë.