Ministri i Mbrojtjes i Izraelit kërcënoi sot Bejrutin, pas sulmeve me raketa nga Libani, duke tronditur armëpushimin e brishtë, që ndërpreu më shumë se një vit armiqësi me Hezbollahun, organizatën e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Europian ka në listë të zezë krahun ushtarak të grupit, por jo edhe atë politik.
Nëse nuk ka qetësi në komunitetet e Kirjat Shmonas e Galileit, nuk do të ketë qetësi as në Bejrut, vuri në dukje ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, duke iu referuar qytezave veriore drejt të cilave u lëshuan raketat.
Përmes një deklarate, ushtria izraelite tha sot se “dy predha” u lëshuan nga Libani drejt Izraelit. Një u rrëzua nga ushtria izraelite dhe një tjetër ra në territorin libanez. Kjo është hera e dytë që hidhen raketa nga Libani, që nga marrëveshja e armëpushimit që i dha fund luftimeve mes Izraelit e Hezbollahut, që mbështetet nga Irani. Kjo edhe pse Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme të herëpashershme në jug të Libanit, pavarësisht armëpushimit.
Qeveria libaneze mban përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për çdo sulm drejt Galileit.
Raketa u lëshuan disa orë pasi sulmet ajrore izraelite vranë gjashtë persona në jug të Libanit dhe Izraeli tha se ka shënjestruar operativë të Hezbollahut. Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban raportoi për granata izraelite në fshatin Kiam, pesë kilometra larg nga kufiri izraelit.
Po ashtu, agjencia njoftoi për sulme në komunitetin kufitar Kfar Kila e tha se ushtria izraelite kreu kontrolle në Hamames. Më 8 tetor 2023, Hezbollahu nisi sulmet raketore ndaj Izraelit në mbështetje të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-të e BE-ja, pasi grupi palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke nxitur luftën në Gaza.
Armiqësitë ndërkufitare u përshkallëzuan në luftë të plotë, me Izraelin që kreu një fushatë të bombardimeve në Liban dhe dërgoi trupa në këtë shtet. Armëpushimi i nëntorit të kaluar bëri që Izraeli të tërhiqej pjesërisht, edhe pse trupat e tij vazhdojnë të jenë në pesë pozicione në jug të Libanit, që Izraeli i konsideron strategjike, edhe pse afati për tërheqjen e trupave ka kaluar.