Vazhdon lufta në Lindjen e Mesme. Izraeli përshpejtoi operacionin në Gaza dhe dje në mbrëmje nisi një inkursion në Rripin e Gazës, fillimisht me bombardime të forta, pastaj me sulme tokësore. Por, ky ende nuk konsiderohet pushtim i madh, i planifikuar prej rreth tre javësh, që kur Hamas sulmoi Izraelin më 7 tetor.
Banorë të Gazës iu thanë mediave se kanë kaluar natën më të keqe në tre javë, nisur nga intensiteti i bombardimeve. Ata raportuan për sulme të pandërprera nga ana e forcave izraelite.
E gjithë Gaza është izoluar me bllokimin e telefonave celularë e të internetit, krahas shkëputjeve të energjisë elektrike. Një zëdhënës saktësoi se ushtria izraelite po bën gjithçka është e mundur për të shmangur humbjet civile, ndërsa rikujtoi se kjo është “një luftë e nisur nga Hamas”.
Hamas denoncoi përpjekjen e Izraelit për të depërtuar në Rripin e Gazës me tanke. Në mbrëmje vonë, një zëdhënës i grupit njoftoi se pati negociata për të arritur një marrëveshje për armëpushimin e shkëmbimin e të burgosurve, por pas bastisjeve të fundit të Izraelit në Gaza, nuk ka më bisedime.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi projekt-rezolutën e paraqitur nga Jordania, në emër të vendeve arabe, për armëpushim humanitar në Gaza. Hamasi nuk dënohej. Ndërkaq, u refuzua drafti i Kanadasë që përmbante dënimin e sulmeve të militantëve.
Votimi jo-detyrues në Kombet e Bashkuara shkaktoi reagim të menjëhershëm nga Izraeli: “Sot është një ditë që do të hyjë në histori me turp”, tha ambasadori i Tel Avivit në OKB, Gilad Erdan, ndërsa ministri i Jashtëm Eli Cohen shpjegoi se “Izraeli synon të veprojë për të eliminuar Hamasin ashtu siç veproi bota kundër nazistëve dhe ISIS-it”.
Administrata e presidentit amerikan Joe Biden shprehet shumë e shqetësuar nga mundësia e një përshkallëzimi të luftës mes Izraelit e Hamasit. Këtë e shprehu zëdhënësi i Këshillit për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, duke folur për CNN-in.