Ushtria izraelite njoftoi se mbi 250 mijë persona janë larguar nga Qyteti i Gazës për në të tjera pjesë të territorit palestinez javët e fundit, që kur Izraeli intensifikoi sulmet ndaj qendrës më të madhe urbane të Gazës.
Sipas vlerësimeve të ushtrisë izraelite, më shumë se çerek milion banorë të qytetit të Gazës janë larguar nga qyteti për sigurinë e tyre, shkroi në X zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se afro 1 milion palestinezë jetojnë në e përreth Qytetit të Gazës. Sot, ushtria izraelite lëshoi pamflete nga ajri duke iu bërë thirrje banorëve të qarqeve perëndimore të evakuohen, ndërsa Agjencia për Mbrojtjen Civile të Gazës raportoi për sulme të vazhdueshme.
Ushtria izraelite po operon me forcë shumë intensive në zonën tuaj dhe është e përkushtuar që ta shkatërrojë dhe mposhtë Hamasin [grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian], thuhet në pamflet.
Izraeli që ka paralajmëruar një operacion për marrjen e kontrollit të plotë të Qytetit të Gazës, po përballet me presion ndërkombëtar që të mos vazhdojë me planin. Por, nuk ndalet e thotë se është i vendosur që të shkatërrojë Hamasin dhe shprehet se Qyteti i Gazës është një prej bastioneve të fundit të grupit palestinez.
Javët e fundit, ushtria ka sulmuar ndërtesat shumëkatëshe, duke deklaruar se ato përdoren nga Hamasi. OKB-ja dhe komuniteti ndërkombëtar kanë paralajmëruar se ofensiva e ushtrisë izraelite do të përkeqësojë situatën tashmë katastrofike humanitare në Qytetin e Gazës, aty ku OKB-ja ka shpallur gjendje të urisë.
Sipas Agjencisë për Mbrojtjen Civile në Gaza, nga mëngjesi i sotëm, të paktën 5 persona janë vrarë nga sulmet izraelite. Një ditë më parë, 50 vetë gjetën vdekjen në mbarë Rripin e Gazës, po sipas kësaj agjencie.
Lufta në Gazë nisi kur më 7 tetor të vitit 2023, Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona dhe rrëmbeu 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës hakmarrëse izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 64 mijë palestinezë, referuar Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Këto shifra konsiderohen të besueshme nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB.