Prej të premtes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po presin përgjigjen e Iranit ndaj propozimit më të fundit të tyre për paqen, për t’i dhënë fund luftës, ndërsa armëpushimi i brishtë vazhdon. Një ditë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump përsëriti se shumë shpejt, pret të marrë përgjigje nga Teherani.
Po dje, përpjekjet diplomatike përfshinë një vizitë në SHBA të kryeministrit të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, i cili takoi në Miami, të dërguarin e Trump-it, Steve Witkoff dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me zëvendëspresidentin J.D. Vance. Katari po luan rol kyç ndërmjetësues.
Agjencia britanike e sigurisë detare UKMTO njoftoi se mori një raport për një incident, 23 milje detare në verilindje të Dohas, kryeqytetit të Katarit.
Kapiteni i një anijeje tregtare bëri të ditur se mjeti lundrues u godit nga një predhë e paidentifikuar. Shpërtheu një zjarr i vogël që u shua më vonë dhe nuk ka viktima. Po ashtu, nuk u raportua asnjë ndikim në mjedis.
Shefi i Shtabit të Ushtrisë Pakistaneze, Asim Munir, ndërmjetësues mes Uashingtonit dhe Teheranit, njoftoi për mediat lokale se “vijojnë përpjekjet e ndërmjetësimit për të arritur një paqe të qëndrueshme” midis SHBA-ve e Iranit.
Islamabadi po bën gjithçka që është e mundur për të patur sukses.
“Pas dështimit të luftimeve ushtarake, armiku po përpiqet ta zhvendosë luftën në arenën ekonomike”, deklaroi Presidenti iranian Masud Pezeshkian gjatë një takimi të raportuar në televizionin shtetëror të Iranit.
Populli duhet ta pengojë këtë komplot, me pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e tij, u shpreh kreu i shtetit.
Në fushat e ndryshme të naftës në Iran, prodhimi vazhdon pa ndërprerje, deklaroi Moussa Ahmadi, kryetar i Komitetit të Energjisë të Parlamentit iranian, në një intervistë për ISNA-n.
Shkurt, presioni mbi eksportet iraniane të naftës nuk ka ndikim të madh, tha Ahmadi.