Përjashtim i Izraelit nga të gjithë turnetë e UEFA-s, nuk është aq e lehtë sa mendohej në fillim. “The Times” solli një artikull një ditë më parë, ku shkruante me bindje se anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, shumica e tyre, janë pro përjashtimit të Izraelit, madje e kanë marrë një vendim të tillë, por edhe nëse kjo është e vërtetë, kundër këtij opsioni ka dalë FIFA dhe presidenti Trump.
Botërori “FIFA2026” do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, është shumë e vështirë që presidenti i FIFA, Gianni Infantino të dalë kundër Trump, me këtë të fundit publikisht është shprehur kundër përjashtimit të Izraelit.
Departamenti Amerikan i Shtetit me anë të një reagimi për “Sky News” ka shprehur hapur vullnetit e SHBA-s dhe presidentit Trump kundër kësaj ideje që po qarkullon në zyrat e UEFA-s: “Ne do të punojmë për të ndalur çdo përpjekje për të përjashtuar kombëtaren e Izraelit nga Kupa e Botës”, u shpreh Marco Rubio, Sekretari i Shtetit.
Siç u raportua për herë të parë nga The Times, aktualisht po planifikohet një takim i jashtëzakonshëm javën e ardhshme, me komitetn ekzekutiv të UEFA-s që do të diskutojë këtë temë për të marrë një vendim sa më shpejt të jetë e mundur.
Izraeli, i cili ka qenë anëtar i plotë i UEFA-s që nga viti 1994, është përballur me kritika gjithnjë e në rritje për sulmet në Gaza.
Vlen të theksojmë se një raport i publikuar nga një komision i pavarur i OKB-së arriti në përfundimin se Izraeli ka kryer dhe vazhdon të kryejë gjenocid kundër palestinezëve në Gaza.
Lëvizja për të ndaluar Izraelin të marrë pjesë në gara sportive ka gjetur mbështetje brenda shoqatave anëtare të UEFA-s, por jo vetëm.
Javën e ardhshme pritet vendimi përfundimtar nga UEFA sa i takon përjashtimit të Izraelit nga garat.
Fushata të shumta ndërkombëtare, mes tyre edhe ajo me hashtagun #GameOverIsrael, kërkojnë përjashtimin e Izraelit nga futbolli ndërkombëtar. Mbështetje kanë dhënë edhe disa federata të rëndësishme, përfshirë atë italiane dhe spanjolle, të cilat janë shprehur kundër zhvillimit të ndeshjeve me skuadra izraelite.
Edhe stadiumet nuk kanë mbetur jashtë këtij debati. Prej muajsh, në ndeshje të ndryshme shfaqen pankarta kundër luftës. Ndërkohë, figura të njohura të botës së futbollit, si legjenda franceze Eric Cantona, kanë dalë hapur në mbështetje të përjashtimit të Izraelit nga garat europiane.