Showbiz

Ja cilat biznese do të hapen nga 11 maji deri më 1 qershor

Pas kësaj fundjave, qeveria ka vendosur të lehtësojë akoma më shumë masat anti-COVID. Nga 11 maji deri në 1 Qershor hapen biznese të tjera e shtohen zonat e gjelbra. Referuar situatës epidemiologjike të qëndrueshme, harta e zonave të gjelbra zgjerohet me Lushnjen, Patosin, Roskovecin, Korçën, Hasin, Lezhën, Kukësin, Mirditën, Fushë-Arrësin, Malësinë e Madhe, Pukën, Vaun e Dejës, Kavajën e Vorën. Tashmë edhe në to, nga e hëna e ardhshme zgjerohet fasha e lëvizjes deri në 21 të mbrëmjes, si dhe qarkullimi ndërqytetas me automjet privat për më shumë se dy persona të së njëjtës familje. Ndërkaq, Tirana, Durrësi, Shkodra, Fieri, Kurbini e Kruja mbeten te zonat e kuqe me lëvizje të lejuar deri në orën 17 e 30.

Fillimjava nis me hapjen klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare në vend. Po ashtu, nga 11 Maji të gjithë të riatdhesuarit do të vetkarantinohen në banesë. Ndërkaq, nga 18 maji hapen muzetë, galeritë e arteve dhe sitet arkeologjike, lejohen stërvitje individuale të sportistëve në ambiente të hapura. Po prej 18 majit, hapen bar-kafenetë, restorantet vetëm në ambientet e jashtme deri në orën 17:30. Shtohen fluturimet e riatdhesimeve me detyrim vetkarantimin në banesë. Më 1 qershor hapen çerdhet dhe kopshtet shtetërore e private.